Transportuesit privat: Zhbllokojmë rrugën nëse marrim garanci nga kryeministri
Transportuesit privat janë të gatshëm të zhbllokojnë bulevardin “Ilinden”...

Transportuesit privat janë të gatshëm të zhbllokojnë bulevardin “Ilinden” në rast se marrin garanci nga kryeministri Kovaçevski për zgjidhjen e problemit, tha përfaqësuesi i kompanive private të transportit, Kemal Muriq.
Sipas tij, me kryetaren e Qytetit të Shkupit, të cilën e quajti “njerka e qytetit”, nuk ka shpresa për zgjidhjen e problemit.
“Ne problemin tonë meqë nuk mund ta zgjidhim me Qytetin e Shkupit, me kryetaren Danella Arsovska, kërkojmë organ më të lartë, që në rastin konkret i bie Qeveria. Andaj po kërkojmë takim me kryeministrin dhe kjo kërkesë nuk paraqet kurrfarë kërcënimi nga ana jonë. Në rast se dikush na jep garanci, në rastin konkret kryeministri, ne menjëherë do t’i heqim bllokadat.”,- deklaroi përfaqësuesi i transportuesve privat, Kemal Muriq.
Kovaçevski: Do të takohem, por me kusht që të hiqen bllokadat
Pas kërkesës se transportuesve privat për takim, kryeministri Dimitar Kovaçevski, për dallim nga kryetarja e Shkupit, pranon të takohet, por me një kusht, që t’i heqin bllokadat nga rrugët e kryeqytetit.
“Gjëja e parë që duhet të bëjnë është t’i lirojnë rrugët në mënyrë që qyteti të funksionojë. Së dyti, në atë takim duhet të jenë të pranishëm edhe organet kompetente nga Qyteti i Shkupit. Pse? Sepse duhet të merreni me ta, sepse Qeveria nuk ka kompetencë në fushën e transportit publik në Qytetin e Shkupit. Dhe së treti, bëhet fjalë për marrëdhënie debitore-kreditore ndërmjet ndërmarrjeve private dhe ndërmarrjes publike nën kompetencën e Qytetit të Shkupit dhe të gjitha ato supozime duhet të merren parasysh.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Transportuesit privat kërkuan që t’i merren ingerencat kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe Qeveria të marrë përsipër zgjidhjen e problemit.
Por, kryeministri potencoi se është kundër marrjes së ingerencave, sepse, sipas tij, kjo do të nënkuptonte kthimin në procesin e decentralizimit.
Ai gjithashtu për kaosin e shkaktuar me transportin publik akuzoi edhe VMRO-DPMNE-në.
Transportuesit privatë nga “Slloboda prevoz” dhe “Makekspres” filluan protestën përmes bllokadave në kryeqytet më 28 nëntor dhe protesta vazhdon, pasi problem i tyre akoma mbetet pezull. (Farije Duati Bakiju, TVM2)
