Maqedoni

MASH-i reagim ndaj kryetarit të SASHK-ut

29.01.2015 18:18

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dënuar sot fuqishëm deklaratën e kryetarit të SASHK-ut, Joakim Nedelkov...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dënuar sot fuqishëm deklaratën e kryetarit të SASHK-ut, Joakim Nedelkov, i cili në intervistën e djeshme për një internet portal thotë se disa nga testatorët, që i vëzhgojnë nxënësit e viteve të fundit të arsimit të mesëm në procesin e testimit ekstern, i kanë motivuar të kopjojnë dhe të kërkojnë ndihmë me telefon, me qëllim që të dëmtojnë mësuesit të cilët janë në grevë me SASHK-un.
 
Kjo është një deklaratë e bërë me tendencë dhe qëllim të vetëm, për të krijuar përshtypje në publik se në tërë situatën aktuale, e cila për hir të së vërtetës është iniciuar dhe krijuar nga udhëheqësia e SASHK-ut, viktima janë anëtarët e sindikatave, të cilët e mbështesin vendimin për grevë dhe të cilët janë pjesë e procesit të testimit ekstern.
 
Dëshirojmë të rikujtojmë se procesi i vlerësimit ekstern të arritjeve të njohurive të nxënësve është i detyrueshëm dhe realizohet në përputhje me dispozitat e Ligjit për Arsimin Fillor dhe Ligjit për Arsim të Mesëm.
 
Rregullimi ligjor vlen edhe për nxënësit edhe për punëtorët e arsimit, duke marrë parasysh se nga rezultatet e procesit do të ketë pasoja mbi të dyja palët, dhe gjithsesi, përgjegjësia në pjesën e zbatimit është parashikuar edhe për vetë testatorët dhe vëzhguesit.
 
Deri më tani, gjatë inspektimit nga ana e inspektorëve të arsimit nuk është zbuluar asnjë rast i zbatimit jo të rregullt të procesit në cilëndo qoftë shkollë,  e as që është raportuar ndonjë rast i tillë në koll qendrat e hapura, theksojnë nga MASH-i. 
 
Në reagim, po ashtu thuhet se siç duket kohëve të fundit paraqitjet publike të Nedelkovit bazohen vetëm në supozime dhe spekulime, sepse nëse nuk do të ishte kështu, çdo dyshim i arsyeshëm, i mbështetur me fakte dhe prova, me siguri do të ishte dorëzuar deri më tani tek autoritetet kompetente për veprim të mëtejshëm, në rastin konkret deri te Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe Qendra Shtetërore e Provimeve.