Botë
Kosovë, dita e pestë e barrikadave, ndërkombëtarët kërkojnë të hiqen
14.12.2022 11:55
Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, pesë ditë pas vendosjes së barrikadave...
Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, pesë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq.
Që nga e shtuna kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në ditën e pestë, ndërkaq shkollat sipas raportimeve nuk janë hapur as sot. Barrikadave i parapriu një javë mjaft e tensionuar, ku pati shpërthime bombash e shkëmbim zjarresh ndaj policëve të Kosovës dhe Euleksit. I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur dhe se barrikadat duhet të hiqen me marrëveshje politike, jo me buldozerë, e tha edhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, pas takimit që pati dje me kryeministrin, Albin Kurti.
Nga KFOR-i nuk janë deklaruar nëse do të ndërhyjnë për heqjen e barrikadave në veri ose jo, mirëpo, theksojnë se janë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Prishtinë, ku tha se ShBA nuk do e pranojë kurrë kthimin e forcave serbe në Kosovë. Sipas Brnabiç, Escobar tregoi se është një tjetër politikan që kundërshton rezolutat e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, të cilat janë ende të vlefshme. Përmes një postimi në Twitter, Brnabiç ironizon duke shkruar se Escobar dhe ministrja gjermane, Von Cramon, kanë marrë rolin e Këshillit të Sigurimit dhe me votë anonime kanë anuluar Rezolutën 1244.
