Botë

Bullgaria pa qeveri, deputetët nuk i dhanë mbështetje Gabrovskit

14.12.2022 13:43

Kandidati për kryeministër i Bullgarisë i propozuar nga GERB-SDS, Nikolaj Gabrovski...

Kandidati për kryeministër i Bullgarisë i propozuar nga GERB-SDS, Nikolaj Gabrovski, nuk arriti të marrë mbështetjen e duhur të deputetëve për karrigen e parë të ekzekutivit. Me 113 vota “pro” dhe 125 vota “kundër”, deputetët rrëzuan kandidaturën e tij. “Për” votuan deputetët e GERB-it, DPS-së dhe PB-së, ndërsa “kundër” votuan 125 deputetë nga “Vazhdojmë me ndryshimet”, Bullgaria Demokratike, BSP dhe Rilindja. Gabrovski u bëri thirrje deputetëve të tejkalojnë interesin e ngushtë partiak si dhe nuk e merr përgjegjësinë për të rikthyer besimin te institucionet dhe dialogun mes partive.
 
“Jemi nën presionin  e disa afateve që do të na shkaktojnë dëme të pariparueshme, si për imazhin e Bullgarisë, ashtu edhe financiarisht. Është pothuajse e sigurt që  nuk do të hyjmë në Eurozonë, por në provë do të vihet edhe orientimi ynë gjeopolitik.”- theksoi mandatari për qeverinë bullgare, Nikollaj Gabrovski.
 
Pas debatit treorësh, një rezultat i tillë ishte i pritshëm, sepse partia e Borisovit, e cila fitoi zgjedhjet, nuk siguroi shumicën.
 
“Sekretet e korrupsionit dhe varësia reale e bëjnë që kjo Qeveri të mbetet peng e mëkateve të vjetra.”- tha Kiril Petkov nga “Vazhdojmë me ndryshimin”. 
 
“Ne nuk mund ta mbështesim këtë Qeveri të propozuar në këtë mënyrë si format, si platformë dhe ide politike për drejtimin e vendit.”- deklaroi Hristo Ivanov nga “Bullgaria Demokratike”
 
Sipas kushtetutës bullgare, tani presidenti Rumen Radev, duhet t'i japë mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë më të madhe në parlamentin bullgar, e cila është “Vazhdojmë me ndryshimet”. 
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Bullgari u mbajtën në tetor. Vendi aktualisht udhëhiqet nga qeveria teknike e Galab Donevit.
 
SANIJE DURAKU