Maqedoni
Strugë, reparti i fëmijëve plot, reagojnë mjekët
14.12.2022 14:11
Gripi sezonal dhe infeksionet e ndryshme tashmë disa javë po mbajnë të mbushur repartin e pediatrisë në Spitalin e Strugës...

Gripi sezonal dhe infeksionet e ndryshme tashmë disa javë po mbajnë të mbushur repartin e pediatrisë në Spitalin e Strugës, që kujdeset edhe për pacientët e vegjël nga Ohri, Resnja dhe Dibra. Në dy ndërrime numri i pacientëve arrin mbi 100 në ditë, ndërkohë që spitali ka vetëm 5 pediatër.
"Kemi mjaft pacientë, vijnë prej Ohrit, Resnjës e Dibrës. Edhe hospitalizimi edhe shërimi bëhet në repartin e pediatrisë në Strugë. Është e vërtet se jemi të mbingarkuar, por nuk mund t’i kthejmë pacientët që vijnë, duhet t’u ofrojmë ndihmë. Ne jemi 5 persona në repart, punojmë gjithë kohës.”,– deklaroi pediatri, Vllatko Mickoski.
Nga Ministria e Shëndetësisë u është premtuar se do të sjellin mjek pediatër në Ohër, për të reduktuar numrin e pacientëve në repartin e Strugës. Por, pediatri, sipas premtimit, duhet të vijë në Ohër pas vitit të ri, e deri atëherë ngarkesën e mbajnë mjekët e Strugës. Ata u bëjnë apel mjekëve amë që të trajtojnë rastet më të lehta e të mos krijojnë kaos pa nevojë në spital.
ILMIE ZHAKU
