Maqedoni
U evakuuan 15 shkolla në Shkup, sërish kërcënime të rreme për bomba
14.12.2022 14:40
Kërcënime të rreme për vendosje të bombave sërish në pesëmbëdhjetë shkolla të mesme në Shkup...

Kërcënime të rreme për vendosje të bombave sërish në pesëmbëdhjetë shkolla të mesme në Shkup. Pas kontrolleve të nevojshme anti-terroriste MPB-ja edhe kësaj radhe konstatoi se paralajmërimet ishin të rreme.
“Pas marrjes së paralajmërimit nga zyrtarë policor, janë ndërmarrë masa për evakuim të sigurt të objekteve, më pas janë kryer kontrolle të detajuara nga ekipe anti-terroriste dhe është konstatuar se bëhet fjalë për kërcënime të rreme.”,- thuhet nga MPB.
Për herë të parë kërcënim për vendosje të bombës mori këtë të mërkurë edhe Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Pançe Karagjozov”. Pas kontrollit, mësimi vijoi normalisht.
“Ne u përgatitëm për testim, paralajmërimi na ndodhi befas, erdhën dhe na thanë se duhet të dilni jashtë. U konstatua se nuk ka bomba, por ne po humbim mësimin, sepse shkolla posedon objekt të madh dhe duhet kohë për kontroll të detajuar.”- tha një nxënës.
Shaqiri: Shkollat kompensojnë orët e humbura
Edhe përkundër kërcënimeve, mësimi do të vijojë me prani fizike, thotë ministri Shaqiri. Orët e humbura po kompensohen.
“Disa nga shkollat veç më i kanë kompensuar orët e humbura. Ne si ministri po shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme në periudhën që vijon, që të kompensohen orët me prani fizike, sepse mësimi online nuk është zgjidhje për problemin, d.m.th. mësimi të vijojë me prani fizike, sepse kërcënimet për bomba janë të rreme.”,– deklaroi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Që nga paralajmërimet e para të rreme një muaj e gjysmë më parë, ende nuk ka asnjë fajtor. MPB vijon hetimet dhe qeveria disa herë ka ripërsëritur se bëhet fjalë për kërcënime hibride ndaj të cilave nuk është imun as rajoni.
FLUTURA LATIFI
