Maqedoni

Gjykimi "Softuerët", Ruskoska e Trajçeva nuk dëshmojnë për Rashkovskin

14.12.2022 15:02

Gjykatësja, Fanka Jançuleva Mihajlovska, nuk ka lejuar që prokuroret, Villma Ruskovska dhe Ivana Trajçeva...

Gjykatësja, Fanka Jançuleva Mihajlovska, nuk ka lejuar që prokuroret, Villma Ruskovska dhe Ivana Trajçeva, të dëshmojnë për rastin “Softuerët”, ndaj ish sekretarit gjeneral të Qeverisë, Dragi Rashkovski, edhe pse ky i fundit  kishte kërkuar ballafaqim me to. Rashkovski u ankua se me këtë vendim të pabazë po pamundësohet të  dëshmojë pafajësinë. Gjykatësja ka pranuar si dëshmitare Naqe Qulevin, i cili në periudhën e akuzave ishte ministër teknik për punë të brendshme.
 
"Nuk pranohet marrja në pyetje e bashkëpunëtorit profesional Oliver Aleksov dhe prokuroreve, Ivana Trajçeva dhe Vilma Ruskovska. Duke pasur parasysh se aktvendimi nuk mund të bazohet në dëshmi të prokurorit publik dhe bashkëpunëtorit profesional të lëndës, informatat që ata kanë, janë në shërbimin e veprimit të prokurorëve publik", - tha gjykatësja, Fanka Jançuleva Mihajllovska.
 
Nuk do të dëgjohen as edhe pjesëtarë të policisë për të cilët Rashkovski kërkoi të ftohen në gjykatë. Të refuzuar për dëshmi janë edhe një pjesë e ekspertëve, të cilët veç më ishin në gjykatë. Rashkovski akuzohet për rastin “Softuerët”, i cili përfshinë blerjen e dy softuerëve për kundërvajtje në komunikacion dhe për identifikim biometrik, të cilat sipas Prokurorisë nuk janë kërkuar dhe përdorur nga askush. Aktakuza përfshinë edhe pagesën e tarifave nga e cila sipas prokurorisë ka marrë pjesë edhe ish-sekretari i përgjithshëm. Rashkovski ndiqet penalisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe larje parash si sekretar gjeneral i Qeverisë. 
 
Ndërkohë, të enjten fillon procesi gjyqësor edhe për ish-sekretarin tjetër të Qeverisë, Muhamed Zekiri. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka abuzuar me një kontratë për shërbime. Zekiri u arrestua në prill të këtij viti.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI