Maqedoni
Lufta kundër korrupsionit, ndërkombëtarët: Më shumë aksion, do t’ju mbikëqyrim
14.12.2022 15:47
Maqedonia e Veriut si vend negociues me BE-në tani duhet të veprojë kundër korrupsionit...

Maqedonia e Veriut si vend negociues me BE-në tani duhet të veprojë kundër korrupsionit, pasi që fjalët e bukura nuk mjaftojnë, ka porositur ambasadori i BE-së, Dejvid Gir. Paralajmëroi mbikëqyrje të rreptë dhe porositi jo vetëm institucionet, por edhe sektorin civil dhe mediat t’i bashkëngjiten betejës.
“Institucionet shtetërore së bashku duhet të ulin volumin e korrupsionit dhe të miratojnë dhe zbatojnë ligje dhe sanksione të fuqishme. Të krijohet mjedis negativ kundër të gjitha shprehive negative, fuqizim i transparencës më të madhe në realizimin e financave publike. Duhet të zhvillohen institucione revizore dhe trupa të anti-korrupsionit në partneritet me sektorin civil dhe mediat profesionale.”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.
Edhe Britania e Madhe, e kyçur në luftimin e krimit rajonal në rritje nga lufta në Ukrainë, porositi gjyqësorin të veprojë në të mirën e ekzistencës së qytetarëve.
“Nuk mund të lejojmë që rajoni të bëhet kanal për krimin e organizuar pasi që do të ketë ndikim tejet të keq në ekzistencën e njerëzve në rajon. Dëshmoni me aktivitete konkrete se ky nuk është vetëm angazhim politik në letër. Është zhgënjyese se nuk ka numër të mjaftueshëm të padive.”,- theksoi udhëheqësja në sektorin anti-krim në MPB-në britanike, Suzi Dajken.
Amerikanët rikujtuan se bashkëpunimi rajonal është kyç dhe duhet të krijohet me një vullnet politik.
“SHBA po ju dëgjon, ne presim rezultate konkrete pas investimit të 10 milion dollarëve në sektorin e luftimit të krimit në Maqedoninë e Veriut. Ne po ju ndjekim nga afër se a i keni përmbushur angazhimet tuaja. Harta rajonale e miratuar vitin e kaluar duhet t’ju afrojë drejt BE-së për qytetarët tuaj dhe sigurinë rajonale dhe globale.”,- theksoi zëvendës-ambasadori i ShBA-ve, Erik Mejer.
Taseva: Amerikanët me të drejtë kërkojnë llogari
Nga Asociacioni “Transparencë Maqedoni” arsyetojnë kërkesat e amerikanëve për llogaridhënie, pasi që njerëzit e edukuar me investimet e tyre nuk janë angazhuar.
“Ne kemi problemin e politizimit të institucioneve, partizimin, ku njerëzit që dinë dhe munden nuk janë në pozicionet ku duhet të jenë pasi që aty vendosen njerëz të caktuar të afërt me disa qarqe. Ky është problemi, të cilin me të gjitha forcat duhet ta tejkalojmë.”- deklaroi Sllagjana Taseva nga “Transparencë Maqedoni”.
Gërkovska: Beteja të mos etiketohet si politike
Nga qeveria thonë se beteja s’duhet të etiketohet vetëm si politike.
“Çdo ndihmë, jo vetëm ndërkombëtare, por edhe nga sektori civil dhe mediat është e mirëseardhur, pasi luftimi i korrupsionit nuk është dhe nuk duhet të jetë politike, por çështje e përbashkët shoqërore. Vetëm kështu mund të kemi më shumë sukses, të rrisim rezistencën dhe sensibilizimin e qytetarëve kundrejt këtij fenomeni.”,- u shpreh zëvendës-kryeministrja për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska.
Edhe përfaqësues të vendeve të rajonit mbështetën betejën e përbashkët. Shqipëria fokusin ka vënë në përndjekjen e korrupsionit online, i cili është në rritje e sipër pasi 97% e shërbimeve ofrohen në botën virtuale.
MERAL ISMAILI
