Maqedoni
Zgjedhja e gjykatësve dhe prokurorëve, Gërkova: Duhet të ketë kritere të veçanta
14.12.2022 16:31
Zëvendëskryeministrja për Politikat e qeverisjes së mirë, Slavica Gërkova...

Zëvendëskryeministrja për Politikat e qeverisjes së mirë, Slavica Gërkova vlerëson se nuk mund të ketë kushte të përgjithshme për përzgjedhjen e gjyqëtarëve dhe prokurorëve, por duhet të ketë kritere të veçanta varësisht se për cilën gjykatë apo prokurori do të zgjidhen.
Ajo është e mendimit se duhet të ndryshohen jo vetëm rregulloret apo aktet nënligjore, por edhe ligjet e caktuara me të cilën do të anashkalohen ato që i cilësoi “surpriza”, si me përzgjedhjen e kreut të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar ku do të parashikohet të ketë edhe census.
“Për ligjet që nevojiten dy të tretat e votave në të cilat është përcaktuar praktikisht kushti për zgjedhjen e Prokurorit Publik, do të duhet vullnet politik dhe pjekuri edhe nga opozita, sepse e dini se cilat ishin reagimet nga këndvështrimi ligjor. Zgjedhjet ishin të rregullta, megjithatë, pa regjistrim, pa kushte të tjera gjatë zgjedhjeve, do të mund të përballemi në të ardhmen, pavarësisht nga mundësia që prokurorët në zgjedhjet e menjëhershme të vendosin se kush do ta udhëheqë atë prokurori, do të kemi zgjedhje mjaft interesante në të ardhmen. Mund të ndodhë që vetëm kandidati të dalë të votojë vetë dhe të zgjidhet”. – deklaroi Sllavica Gërkova, zëvendëskryetarja e qeverisë.
Gjithsesi, Grkovska thotë se përzgjedhja e gjykatësve është punë që u takon vetëm atyre e qeveria tashmë ka përmbushur obligimet që ka pasur. Sipas saj, i takon gjykatësve dhe prokurorëve ta kryejnë detyrën e tyre me integritet, pa ndikime nga jashtë, në bazë të ligjeve e të rikthejnë besimin e qytetarëve të cilin aktualisht sipas saj, nuk e kanë sepse shumë vendime kanë treguar se ligji nuk vlen njësoj për të gjithë.
E pyetur nëse kritikat e saj ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, zëvendëskryeministrja u përgjigj shkurt dhe prerë – “Jo!”. Edhe përkundër kësaj përgjigjeje, Grkovska dhe prokurori publik, Ljubomir Joveski janë tashmë në një konflikt të hapur pasi javën e kaluar zëvendëskryeministrja në një paraqitje televizive tha se Joveski nuk ka treguar mjaftueshëm që si prokuror publik të avancohet në gjykatës kushtetues.
Joveski u kundërpërgjigj se ajo ndërhyn drejtpërdrejt në punën e Prokurorisë Publike dhe kërcënon pavarësinë e saj. Joveski, edhe pse i ftuar, nuk ishte i pranishëm në Konferencën për luftën kundër korrupsionit.
REXHEP QAMILI
