Maqedoni
Çmimet mezi ulen, Bekteshi: Marketet po harxhojnë rezervat
14.12.2022 18:09
Marketet ende punojnë me rezervat të cilat i kanë prokuruar me çmimet e vjetra...

Marketet ende punojnë me rezervat të cilat i kanë prokuruar me çmimet e vjetra, andaj për të vërejtur rënie të çmimeve, duhet të presim që këto markete ti harxhojnë rezervat dhe të prokurojnë produkte me çmime më të ulëta, tha ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Megjithatë Bekteshi përkujtoi se çmimet do të ulen prej 7 deri më 12 % dhe e arsyetoi uljen me shifra konkrete
“Ne kemi thënë se presim që të kemi ulje të çmimeve prej 7-12%. Duhet të kemi parasysh se 10% nga çmimi prej 50 denarë është 5 denarë, kurse 7% është edhe më pak se 5 denarë. Ulje prej 10% e 40 denarëve është 4 denarë, e 7% është edhe më pak se 4 denarë”, u shpreh ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
E përderisa qytetarët duhet të presin për tu liruar çmiemet, Maqedonia e Veriut është një ndër vendet me inflacionin ë të lartë në Evropë.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për muajin nëntor, tregojnë rritje për 19.5% të shpenzimeve në krahasim me vitin paraprak. Sipas Eurostatit inflacion më të lartë në Evropë se sa Maqedonia e Veriut kanë vetëm Hungaria dhe vendet baltike si Estonia, Lituania dhe Letonia.
ERSAN PAJAZITI
