Botë
Zgjatet afati i sanksioneve ndaj Rusisë
30.01.2015 14:23
Sanksionet e caktuara deri më tani në drejtim të Rusisë nga ana e Bashkimit Evropian janë zgjatur deri në muajin shtator, për shkak të luftimeve të vazhdueshme në lindje të Ukrainës...

Përveç kësaj, BE-ja e ka në plan të mos ndalet, por të ndërmerr veprime tjera, që mund ta çonin Rusinë të heq dorë nga mbështetja ndaj separatistëve.
Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë dje në Bruksel, pas takimit të ministrave të jashtëm, se sanksionet të cilat ishin caktuar për një vit dhe si të tilla do të përfundojnë në mars, janë shtyrë edhe për gjashtë muaj.
Shtyrja e afatit të sanksioneve është pranuar nga të gjitha 28 vendet, përfshirë edhe Greqinë, e cila më herët ka kundërshtuar zgjatjen e afatit të sanksioneve.
Më 15 shkurt, BE-ja do ta mbajë një samit, ku do të diskutohen veprimet e mëtejme ndaj një grupi të ri të zyrtarëve rusë dhe pro-rusë në Moskë.
Thirrjet për sanksione të reja janë bërë pas sulmeve me raketa nga ana e separatistëve në lindje të Ukrainës, me ç’rast janë vrarë 30 njerëz dhe plagosur dhjetëra të tjerë.
