Maqedoni
Kadastra po realizon rrjetin gravimetrik
30.01.2015 14:31
Maqedonia është vendi i parë në rajon që realizoi me sukses rrjetin gravimetrik në territorin e saj...

Agjencia e Kadastrës të dhënat nga ky rrjet mund t’i shfrytëzojë për hulumtime në xeherore, për gjetjen e gazit dhe naftës, përcaktimin e lokacionit të saktë të shpellave dhe projektimin e infrastrukturës hekurudhore.
Sipas drejtorit të Kadastrës, Sllavço Trpevski, me realizimin e këtij projekti ekonomia vendore do të ketë përfitime të mëdha.
“Rezultatet nga matjet gravimetrike, në veçanti të dhënat për shpërndarjen e masave në brendi të tokës janë tejet të rëndësishme gjatë zbatimit të veprimtarive hulumtuese dhe profesionale. Këto të dhëna janë edhe më të vlefshme kur përshtaten me të dhëna nga lëmitë tjera të gjeoshkencës. Po ashtu, përmes hulumtimeve do të përcaktohet saktësisht vendndodhja e ujërave nëntokësor dhe ndikimi i valëve në nivelin e liqeve natyrore”- deklaroi drejtori i Kadastrës, Sllavço Trpevski.
Sipas Trpevskit, matjet e fundit gravimetrike janë realizuar në vitet e 70-ta nga Federata e atëhershme Gjeodezike e ish-Jugosllavisë, por fatkeqësisht, rezultatet nga këto matje asnjëherë nuk i ka pasur në dispozicion vendi ynë.
FLUTURA LATIFI
