Botë
Dita e gjashtë e bllokimit të veriut: Barrikadat nuk hiqen, dje u shtua edhe një tjetër. Kurti në Pragë, dorëzon aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE
15.12.2022 12:56
Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar...
Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, gjashtë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq.
Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në ditën e gjashtë, ndërkaq dje një barrikadë tjetër është ngritur në Qabër. Sipas raportimeve, barrikada e vendosur në Zubin Potok është zhvendosur më poshtë. Ndërkaq, nga Serbia pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Escobar tha se pret që barrikadat të hiqen brenda disa ditësh. Se barrikadat duhet të hiqen me marrëveshje politike, jo me buldozerë, e tha edhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak.
Qeveria e Serbisë, sipas paralajmërimeve të presidentit Vuçiq, pritet që në seancën e sotme të vendosë për dërgimin e kërkesës në KFOR për dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë. Megjithatë, edhe pse tha se do ta bëjnë këtë kërkesë në KFOR, Vuçiqi u shpreh skeptik se kjo kërkesë do të pranohej. I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në prag të takimit me Vuçiqin, tha se SHBA-ja është kategorike kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë. As Gjermania nuk e përkrah dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Kurti ndërkohë pritet të dorëzojë sot zyrtarisht aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Aplikimi pritet t’i dorëzohet Presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Krerët e shtetit e kanë konsideruar këtë si moment historik që i hap rrugë fillimit të procesit të anëtarësimit dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
