Botë

Osmani mban fjalimin vjetor: Veriu, sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë

15.12.2022 13:32

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se veriu i Kosovës vazhdon të jetë një sfidë për shkak të pretendimeve...

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se veriu i Kosovës vazhdon të jetë një sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë. Në fjalimin vjetor para ligjvënësve, ajo e cilësoi si ide hegjemoniste kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, ndërsa u zotua se do të garantojnë sigurinë për qytetarët në veri.
 
Osmani u zotua se institucionet janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria e për sundimin e  ligjit.
“Sundimi i ligjit është esencial për funksionimin e çdo shtylle të shtetit. Në fakt është parakusht për një gjë të tillë.
 
Por, siç e dini, të nderuar deputetë, veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, ne jemi të vendosur që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit të vendit tonë. Bandat kriminale nuk mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë”.
 
Presidentja e Kosovës theksoi gjithashtu se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, që sipas saj do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.