Maqedoni

Sërish alarm për bomba në disa shkolla

15.12.2022 14:08

Kërcënime të rreme për vendosje të bombës edhe në 8 shkolla fillore në Komunën e Çairit...

Kërcënime të rreme për vendosje të bombës edhe në 8 shkolla fillore në Komunën e Çairit, në shkollën e natës, “Makarenko” dhe në shkollën për fëmijët me nevoja të posaçme, “Idnina”. Kërcënime të tilla morën edhe disa gjimnaze në Shkup, shkollat fillore në Aerodrom dhe 10 shkolla në Komunën e Kumanovës. 
 
Kuadri drejtues, mësimdhënësit dhe nxënësit u evakuuan nga shkollat, ndërsa kontrollet anti-terroriste vijojnë nga MPB. Në mesin e nxënësve dhe mësimdhënësve mbretëronte panik dhe pasiguri. 
 
“Kur e hapëm e-mailin e pamë se me të vërtetë është lajmërimi se ka bombë në shkollë. I dhamë të dhënat në polici dhe dhashtë Zoti të mos ketë diçka, por me të vërtetë paniku te fëmijët është e madhe.”, u shpreh drejtoresha e Sh. F. “Adem Jashari”, Fitore Qirezi. 
 
“Nxënësit ishin shumë të frikësuar, shumë mirë që nuk kanë bërë panik, shumë të qajnë, por shpresoj se nuk është e vërtetë.” – tha një nxënës. 
 
“Normal që u frikësuam, erdha sa më shpejtë ti marrë fëmijët dhe të jemi të sigurt.”, - u shpreh një prind. 
 
Pre e kërcënimeve janë edhe shkollat në Komunën e Aerodromit dhe 10 shkolla në Komunën e Kumanovës. 
 
Mesazhet me alarme për bomba vijnë nga mijëra adresa për shkak të përdorimit të të ashtuquajturave adresa virtuale, informoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Siç shtoi ai, policia është duke bashkëpunuar me të gjithë faktorët ndërkombëtarë për zbardhjen e rasteve. 
 
“Më shpesh po flasim për lidhje VPN që nuk janë një lidhje e vetme IP, por mijëra adresa në botë shfaqen nga ai provajder. Aty ku ka mundësi për të përcaktuar, ne i përcaktojmë ato. Janë marrë të gjitha masat e mundshme. Qendra për bashkëpunim ndërkombëtar policor është në komunikim të vazhdueshëm me Interpolin, Europolin.”, - deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski. 
 
Nga kërcënimet hibride, përveç vendit tonë,  ndaj tyre nuk është imun as rajoni.
 
FLUTURA LATIFI