Maqedoni

Para trupit gjykues deklarohet i pafajshëm

15.12.2022 14:26

Ish-sekretari gjeneral i qeverisë, Muhamed Zekiri, para trupit gjykues u shpreh se nuk ndihet fajtorë...

Ish-sekretari gjeneral i Qeverisë, Muhamed Zekiri, para trupit gjykues u shpreh se nuk ndihet fajtor për shpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, për të cilën akuzohet. Prokurorja Katerina Kollareviq, në fjalimin e saj tha se posedon dëshmi, të cilat do ta dëshmojnë fajësinë e Zekirit.
 
Sipas prokurorisë, firmat me të cilat janë dakorduar janë themeluar pak para se Zekiri të kontraktojë marrëveshje dhe e njëjta nuk ka kryer asnjë veprimtari.
 
"Prokuroria do të dëshmojë se ish-sekretari gjeneral i Qeverisë, i angazhuar për të zbatuar procedurën në suazë të së cilës do të angazhojë firma, shtëpi konsulente, e cila do të japë propozim modelin për ristrukturimin e ShA "Posta", nuk nënkupton se Qeveria e ka liruar që mos t’i respektojë ligjet dhe të kontraktojë marrëveshje në katër sy. Parimet bazë që i parasheh Ligji për furnizime publike është ekzistimi i konkurrencës mes operatorëve ekonomikë, trajtimi i barabartë i tyre, mosdiskriminimi, procedura transparente në të cilën ndahen paratë shtetërore.", – tha gjykatësja, Fanka Jançulleva Mihajllovska.
 
Gjykimi për Muhamed Zekirin, Kolareviq: Do ta dëshmojmë fajësinë
 
Sipas mbrojtjes, veprimi i Zekirit nuk është në kundërshtim me ligjin dhe nuk ka elemente inkriminuese, andaj do të kërkojnë interpretim autentik të nenit nga Ligji për furnizime publike. Thanë se si dëshmitarë do të ftojnë anëtarë të qeverisë të cilët kanë pasur njohuri për procedurat që i ka kryer Zekiri.
 
“Zgjedhja juaj është se me kë do të konsultoheni dhe për një gjë të tillë nuk është i nevojshëm furnizim publik. 90% e institucioneve funksionojnë në këtë mënyrë. Do të ftohen anëtarë të Këshillit ekonomik të Qeverisë për të dëshmuar se kanë qenë të njoftuar për gjithçka që është punuar. Kjo do të dëshmojë se marrëveshja nuk është bërë në katër sy.” - deklaroi avokati mbrojtës, Mirosllav Vujiq.
 
Zekiri ngarkohet se me këto veprime është dëmtuar buxheti për rreth 1.5 milion euro. Seanca e radhës për këtë rast është më 30 janar.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI