Botë
Kosova zyrtarisht dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE
15.12.2022 15:02
Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian...

Aplikimi u dorëzua zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Republikën çeke, që aktualisht kryeson presidencën e BE-së. Kryeministri Albin Kurti, para dorëzimit të aplikimit, tha se kjo është një “ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë”.
“Kemi ardhur në Pragë për të riafirmuar zotimin e pandryshueshëm të Kosovës ndaj vlerave themelore të BE-së, lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, barazisë dhe sundimit të ligjit duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim.”, - theksoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
I pyetur në lidhje me pengesën që mund të paraqesin pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, Kurti tha se kur Kosova e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, pesë shtetet ishin dakord. Ndërkaq, ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Mikulash Bek, tha se e mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
“Çmojmë arritjet e Kosovës deri më tani. Ne po e plotësojmë një nga prioritetet e presidencës sonë, sepse në gjashtë muajt e fundit u kemi dhënë vëmendje të jashtëzakonshme çështjeve që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor” – u shpreh ministri për çështje evropiane i Çekisë, Mikulash Bek.
Lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, ka reaguar presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit Prishtina me këtë ka shkelur marrëveshjen e Vashingtonit, ndërsa ka paralajmëruar kundërpërgjigje nga ana e Serbisë.
Derisa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës, duke mbështetur bandat kriminale në Veri të Kosovës. Osmani tha se ata do të përballen me drejtësinë për veprat penale kund rendit kushtetues të Kosovës, si dhe për frikësimet dhe kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve të Kosovës.
“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shprehë nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri dhe sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë. Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë edhe të atyre në veri, për të jetuar të lirë në atdheun e tyre në Kosovë.” – deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Federatës ruse, Maria Zakharova, ka thënë se Kremlini “i ka dhënë instruksione për të ndërmarrë hapa konkretë” ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Boçan-Harçenko.
Siç ka thënë zëdhënësja, Kremlini “po pret reagimin e Beogradit” për këto instruksione, dhe se ato kanë të bëjnë “me mbështetjen ruse ndaj Serbisë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve” Kosovë-Serbi. Ndërkohë me gjithë thirrjet e zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të BE-së dhe ShBA-ve, ende nuk janë hequr bllokadat në pjesën veriore të Kosovës.
GYLTENE SINANI
