Kërkesa e Serbisë për trupa në Kosovë, Rama: Një shashkë politike, jo reale
Gjatë mbrëmjes tradicionale të fundvitit...

Gjatë mbrëmjes tradicionale të fundvitit me përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri, kryeministri, Edi Rama u ndal te situata e tensionuar Prishtinë - Beograd duke komentuar deklaratën e presidentit serb për të dërguar trupa në veri të Kosovës.
“Së fundmi, dëgjuam për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte, nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. E gjithë kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri tha se kryefjalë duhet të jetë dialogu dhe theksoi se çdo gjë tjetër është thjesht politikë e keqe.
“Nuk më jep asnjë kënaqësi që të mos i uroja mirëseradhjen sot ambasadorit iranian. Ishte me ne vitin e kaluar kur patëm të njëjtin takim të fundvitit dhe ndërprerja e lidhjeve tona diplomatike me Iranin nuk ishte një vendim që e morëm lehtë. Irani është një komb i madh, me një kulturë të madhe dhe dua të përshëndes këtu sot, me admirim të plotë, kurajën që po i tregojnë botës vajzat dhe gratë iraniane duke luftuar për të kthyer në fytyrën e tyre dritën e diellit të marrë peng nga një epokë errësire. Dëshiroj fort që më mirë shpejt sesa vonë, në një mënyrë apo në një tjetër, të fillojmë të rindërtojmë urën e shkëputur midis dy vendeve tona.” – u shpreh Edi Rama.
Kryeministri Rama dha edhe lajmin se Tirana në Pranverë do të jetë mikpritëse e Samitit të procesit të Berlinit. (Luljeta Ndoka, TVM2)
