Rusia granatoi disa qytete, viktima dhe të plagosur në Kherson

15.12.2022 20:02

Rusia vazhdon të granatojë qytete ukrainase....

Rusia vazhdon të granatojë qytete ukrainase. Trupat rusë kanë intensifikuar sulmet e tyre në Bahmut dhe Avdivivka, në rajonin ukrainas të Donjeckut.

Moska po ashtu po vazhdon të kryejë sulme në tërë linjën e frontit në lindje, pas sulmeve me dronë në Kiev dhe një bombardimi vdekjeprurës në Herson.

Granatimet ruse në Kherson vranë një fëmijë 8 vjeçar dhe një grua, ndërsa dy të tjerë janë plagosur.

“Predhat ruse goditën ndërtesat e banimit. Një fëmijë u vra nga granatimet ruse. Mjekët u përpoqën ta ringjallin djalin për një orë. Fatkeqësisht, vogëlushi nuk u mbijetoi plagëve. Trupat rusë vranë një fëmijë 8-vjeçar. Një tjetër grua u kap nga granatimet ruse rrugës për në shtëpi. Ajo vdiq në vend nga plagët.",- deklaroi kreu i Administratës ushtarake rajonale – Kherson, Yaroslav Yanushevych.

Përveç ndërtesave të banimit është shkatërruar edhe ndërtesa e administratës rajonale në Kherson, që njihet si “Shtëpia e Bardhë”. Banorët tregojnë tmerrin që kanë përjetuar.

“Dëgjuam goditjen në "Shtëpinë e Bardhë" dhe u ngrit shtëllungë e madhe e tymit. Sapo mbaruam ekzaminimin dhe dolëm: dritaret dolën jashtë dhe copëzat e betonit pas shpërthimit goditën njerëzit.",- theksoi një banor i Khersonit.

“Dy kate janë shkatërruar atje. Ka jetë të humbura dhe shkatërrime të mëdha.”,- tha një banor i Khersonit.

"Isha ulur në një divan. Nuk e prisnim fare këtë shpërthim. Unë u shqetësova pasi raketat ranë aty jashtë në rrugë. Kishte edhe njerëz duke ecur rrugëve.”,- u shpreh një banore vendase.

“Rusët nuk ndryshojnë taktikat e tyre terroriste në frikësimin e popullatës lokale. Nuk ka kuptim të godasësh ndërtesën bosh, nuk është gjë tjetër veçse terrorizëm.”,- tha zyrtari i shtypit i Administratës Rajonale në Kherson, Dmytro Pletenchuk.

Ekipet e shpëtimit Kherson janë duke punuar në flakët e luftës dhe granatimeve të vazhdueshme.

"Gjëja më e keqe është granatimet e përsëritura. Nuk ka rëndësi sa i madh është zjarri. Thjesht nëse ka është një granatim i përsëritur, djemtë që tashmë punojnë aty janë vënë nën zjarr, ka pasur raste që janë larguar me makinë nga vendi i zjarrit dhe dy minuta më vonë vendi ka qenë sërish i granatuar.”,- deklaroi shefi i zjarrfikësve në Kherson, Anton Alieksieienko.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të këtij viti. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)