Maqedoni
Paralajmërime të reja për bomba në Shkup dhe Manastir
16.12.2022 10:00
Vazhduan edhe sot paralajmërimet për bomba, por kësaj radhe jo vetëm në shkolla...

Një paralajmërim për një bombë , anuloi të gjitha fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar në Shkup mëngjesin e sotëm. Stafi dhe pasagjerët u evakuuan nga godina e aeroportit.
Alarmi për bombë evakuoi të punësuarit dhe mysafirët në Hotelin “Alexandar Palace” ku duhej të fillonte konferenca e organizuar nga Këshilli për Avancimin e Arsimit të Lartë dhe Hulumtimeve Strategjike, në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut , ku fjalime ishin paraparë të mbajnë kryeministri Kovacevski, ministrat Bytyqi dhe Besimi dhe ministri i Ekonomisë Bekteshi.
Kërcënime për bombë janë pranuar edhe në qendrën sportive “Boris Trajkovski” ku ndodhen edhe studio e TV Sitel, në hotelin “Merriot”, në Q.T “ East Gate”, në Federatën e Futbollit të RMV-së si dhe në 15 shkolla fillore të Shkupit dhe Manastirit.
Disa media ndërkohë lajmëruan se paralajmërime për bobë janë dërguar edhe në Servisin Publik, por ky lajm është i rremë dhe MRT vazhdon punën pa ndërprerë në të gjitha programet e saj radio televizive.
Ditëve të fundit objektivat e mjeteve shpërthyese ishin të koncentruara kryesisht në shkollat e mesme, fillore disa universitete, qendra tregtare dhe institucione të tjera. Dita e djeshme ishte dita me më shumë denoncime për bomba në shkollat e vendit, pasi kërcënimet nisën në fund të tetorit.
Mbi 50 shkolla fillore dhe të mesme në Shkup dhe Kumanovë dje ishin cak i kërcënimeve për mjete shpërthyese të vendosura. Ndër to, 17 shkolla fillore dhe 22 të mesme nga kryeqyteti, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
