Botë

Specialja shpallë fajtor Salih Mustafën: 26 vjet burg për ish-pjesëtarin e UÇK-së

16.12.2022 13:42

Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...

Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.
 
Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar. Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Në përmbledhje të aktgjykimit, Kryegjakatësja Mappie Veld-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse. 
 
“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo. Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.
 
Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15-të të mbrojtjes.
 
Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre. Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.