Maqedoni

Seri e kërcënimeve të rreme në Shkup dhe Manastir

16.12.2022 16:13

Sërish kërcënime të rreme në adresat elektronike të dhjetë shkollave në Shkup...

Sërish kërcënime të rreme në adresat elektronike të dhjetë shkollave në Shkup, pesë në Manastir, Federatën e futbollit, Hotel “Meriot”, Qendrën tregtare “Ist Gejt”, sallën sportive “Boris Trajkovski” dhe në Aeroportin ndërkombëtar në Shkup.
 
U anulua edhe konferenca vjetore në “Aleksandar Palas” ku ishte planifikuar fjalimi i kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministrit të  Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe të  Financave Fatmir Besimi.  MPB edhe kësaj radhe bëri të ditur se bëhet fjalë për kërcënime të rreme për vendosje të bombave në Shkup dhe Manastir. 
 
Evakuohet aeroporti dhe konferenca në Palas, Spasovski: Po themelohet shtab i posaçëm në MPB
 
Ministri i brendshëm Spasovski potencoi se  askush nga jashtë nuk mund të na imponojë nëse do të jemi pjesë e NATO-s dhe nëse do të ndjekim rrugën evropiane. Sigurisht që kjo është një sfidë. Për këtë çështje po themelohet shtab i posaçëm në MPB. 
 
“Pres që të mblidhet Këshilli Koordinues, ku do të diskutojmë për aspektin e sigurisë kombëtare, sepse këtu duhet të përfshihet edhe Agjencia për Siguri Kombëtare dhe institucionet tjera që janë të rëndësishme në këtë pjesë. Sepse nëse paralajmërimet  janë një njoftim për terrorizëm, atëherë ne të gjithë duhet të kyçemi  për të stabilizuar situatën.”, - deklaroi ministri i punëve  të  brendshme, Oliver Spasovski.
 
Por, paraprakisht mysafirët në hotelin “Aleksandar Palas” u evakuuan.  
 
“Fillimisht nuk kuptuam se çka po ndodh dhe më pas personeli i hotelit dhe personat zyrtarë na thanë se ka paralajmërim për bombë dhe menjëherë u evakuuam.”, - u shpreh qytetari.
 
“Na thanë se ka alarm për bombë dhe se këtu do të presim për dy orë të bëhen kontrollet. Nuk kam bërë  panik.” – tha një qytetar.
 
“Në 8 e 55 morëm paralajmërim për vendosje të  bombës, menjëherë  e aktivizuam protokollin për evakuim dhe për tre minuta të gjithë ishim në distancë të sigurtë para ndërtesës.”, - u shpreh Robert Markoviç nga Federata e futbollit. 
 
Edhe udhëtarët u evakuuan nga Aeroporti ndërkombëtar në Shkup  që të bëhen kontrollet antiterror dhe kjo shkaktoi  reagime të ashpra nga qytetarët. 
 
“Udhëtoj për Londër. Kërcënimet po ndodhin çdo ditë dhe nuk ka kuptim që çdo ditë njerëzit të shqetësohen. Kjo është turp, ne po presim jashtë.”, - tha një qytetar.
 
“Për çfarë të frikohem. Po gënjejnë sa paralajmërime për bombë ka pasur këtë javë. Se kanë eksponuar asnjë.”, u shpreh qytetari.
 
“Na thanë se ka paralajmërim për bombë, nuk na lejuan të hymë në aeroport. Të tregoj të drejtën jam frikuar.”,- tha një qytetar tjetër. 
 
Nga 26 tetori deri më tani të gjitha kërcënimet për vendosje të bombave në shkolla, qendra tregtare, institucione, objekte banimi  kanë qenë të rreme. 
 
FLUTURA LATIFI