Likovë, projekte kapitale me mbështetje të qeverisë

16.12.2022 17:30

Në Komunën e Likovës....

Në Komunën e Likovës ndër vite po realizohen projekte kapitale, të mbështetura nga Qeveria e RMV-së, të cilat për qëllim kanë përmirësimin e kushteve në të gjitha sferat e jetës për banorët e kësaj komune.

Së fundmi në përfundim e sipër është procesi i asfaltimit të rrugës lokale të fshatit Hotël në gjatësi prej 2 kilometrave, investim ky që ka arritur vlerën prej 190.000 euro të siguruara nga Byroja për viset e pazhvilluara dhe komuna e Likovës, si dhe rikonstruimi i rrugës lokale nga varrezat e fshatit Likovë në drejtim të digave të Likovës dhe Gllazhnjës.

Mjetet për realizimin e tij në vlerë prej 795.000 eurosh janë siguruar nga Banka Botërore përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Projekti do të përfshijë rregullimin e rrjetit atmosferik, trotuareve, ndriçimit publik, ndërtimin e murit mbrojtës dhe asfaltimin e tërësishëm të rrugës.

“Brenda buxhetit të këtij viti, i cili miratohet javën e ardhshme, që dje e kemi miratuar në mbledhje të Qeverisë, t’i përfshijmë të gjitha projektet të cilat janë prioritare për komunën e Likovës, që tashmë në mos gaboj, është një tërësi buxhetore për të gjitha projektet e komunës së Likovës është përfshirë në buxhetin e vitit 2023 dhe synojmë që në përfundim të këtij mandati të gjitha çështjet esenciale për komunën e Likovës dhe vendbanimet e saj të jenë të mbyllura.”,- tha zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi.

“Premtojmë që gjatë gjithë kohës do të jemi të përkushtuar për kushte më të mira për mësimdhënësit, por edhe për gjithë ata të cilët ne kemi motivin për të punuar, që janë nxënësit të kyçur në procesin edukativo-arsimor.”,- theksoi ministri i MASh-it, Jeton Shaqiri.

“Jemi në komunën e Likovës për t’i kushtuar vëmendje projektit, respektivisht fillimit të punimeve për rehabilitimin dhe rindërtimin e rrugës lokale deri te ura e liqenit të Likovës, respektivisht nga fillimi i fshatit deri te liqeni i Likovës, gjatësia e trasesë është 3.5 km me vlerë prej 54 milion denarë, në kohëzgjatje prej 11 muaj.”,- deklaroi zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi.

“Me asfaltimin e rrugës, rregullimin e kanalizimit atmosferik dhe rregullimin e trotuareve e ndriçimin publik, kjo rrugë do të marrë një pamje krejt ndryshe dhe në një formë atë që e meritojnë banorët e komunës sonë do ta gëzojnë dhe besoj se bashkërisht do të vazhdojmë me projekte të tjera.”, - tha kryetari i Likovës, Erkan Arifi.

Kreu i Likovës, Erkan Arifi, gjithashtu theksoi se janë duke u paraparë plane edhe për zhvillimin e turizmit rural në zonën e Likovës, ku resurset natyrore mundësojnë një zhvillim të këtillë, e sidomos me hapjen e vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiç, që lidh RMV-në me Republikën e Kosovës. (Fatlum Aqifi, TVM2)