Kovaçevski: Në kushtet e krizës punojmë në infrastrukturë

16.12.2022 17:56

Pavarësisht krizës më të madhe...

Pavarësisht krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike në botë, Qeveria po punon në ndërtimin dhe rindërtimin e infrastrukturës në vend, tha kreu i Qeverisë Dimitar Kovaçevski, gjatë prezantimit të Propozim Buxhetit për vitin 2023 në bashkëpunim me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski.

Sipas Kovaçevskit, propozim-buxheti për Transport dhe Lidhje është zhvilluar me projekte të mëdha infrastrukturore dhe kapitale, që do të thotë nxitje për zhvillim ekonomik, që konsiderohet si bazë për zhvillim të mëtejshëm, sidomos në kushtet e krizës ekonomike dhe energjetike.

“Buxheti i propozuar për Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për vitin 2023 është rreth 324 milionë euro, që është një rritje prej 135% nga ky vit. Thesari i buxhetit është projektuar për realizimin e projekteve të mëdha kapitale si: Ndërtimi i autostradës në Korridorin 8 dhe Korridorin 10D; Ndërtimi i një hekurudhe në Korridorin 8; Ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve lokale nëpër komuna; Gazifikimi; Ndërtimi dhe rikonstruksioni i rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit; Subvencione për linjat e reja ajrore, si dhe përmirësim i transportit në pikat kufitare.”, - u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeminsitri i RMV-së.

Boçvarski: Autostradat kryesore do të përfundojnë më 2023

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski pret që seksioni Petrovec- Katllanovë të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa autostrada Kërçovë-Ohër të përfundojë deri më 31 dhjetor të vitit të ardhshëm. Ndërsa, për shtyrjen e punimeve në autostradën Petrovec – Katllanovë, Boçvarski tha se sipërmarrësi nuk ka bërë përparimin e dëshiruar dhe për këtë arsye është ndërprerë kontrata.

Boçvarski bën të ditur se ka përfunduar prokurimi i ri publik, është zgjedhur kontraktoi dhe është vënë në funksion.

“Këto ditë po nisin matjet në terren, për të bërë matje shtesë nga kontraktori i ri dhe sigurisht që nga fillimi i vitit të ardhshëm presim punime ndërtimore sipas kushteve atmosferike. Pritjet tona janë që ky seksion duhet të përfundojë vitin e ardhshëm sepse ua kemi borxh qytetarëve, por ndonjëherë ka rrethana dhe kushte të tilla kur kontraktorët nuk i respektojnë afatet e përcaktuara dhe pastaj kalojmë në ndërprerjen e kontratës.”, - deklaroi Blagoj Boçvarski, ministri i transportit dhe lidhjeve.

Sa i përket autostradës Kërçovë-Ohër, ministri tregoi se po bëjnë presion që ajo të përfundojë në afatin e paraparë – 31 dhjetor 2023. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2­)