Gjykata e Apelit e anuloi vendimin e Penales për Mijallkovin
Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim...

Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim lëndën “Target-Fortesa” në të cilën ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov ishte i dënuar me 12 vjet burg për përgjim masiv në kundërshtim me ligjin.
Në arsyetimin e gjykatës së shkallës së dytë thuhet se vendimi është marrë mbi konstatimet se Gjykata Penale ka bërë shkelje përmbajtësore të Ligjit mbi procedurën penale.
Gjykata e Apelit gjatë shqyrtimit ka konstatuar se “Gjykata e shkallës së parë gjatë procedimit në këtë lëndë ka bërë shkelje përmbajtësore të dispozitave të Ligjit mbi procedurën penale”.
Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për ta shfuqizuar vendimin e gjykatës penale për dënim të Mijallkovit me 12 vjet burg për rastin “Target-Fortesa”, ka reaguar Aleanca për Shqiptarët.
“Arsyetimi se në shkallën e parë janë bërë lëshime, vetëm se dëshmon rrjetin e organizuar të krimit në drejtësi, ku gjykatat themelore qëllimisht bëjnë lëshime për t’i dhënë alibi gjykatës së apelit që të shfuqizojë vendimet. Këtë e mundëson gjyqësori i kapur nga partitë në pushtet dhe i kriminalizuar deri në palcë. Në RMV-së nuk ka më siguri ligjore dhe as drejtësi të pavarur. Institucionet në krye me Presidentin e vendit kanë dezertuar nga lufta kundër korrupsionit dhe thonë publikisht se nuk kemi kapacitet për veting. E vetmja shpresë është që ShBA-të të nisin një shok terapi, duke filluar me futjen në listën e zezë amerikane për të larguar nga skena aktorët e korruptuar nga politika dhe sistemi i drejtësisë.”, - u deklarua u.d. kryetari i ASh- së, Arben Taravari.
