Specialja shpall fajtor Salih Mustafën, 26 vjet burg për ish pjesëtarin e UÇK-së

16.12.2022 20:27

Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor...

Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.

Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar. Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Kryegjakatësja Mappie Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes. Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.