Maqedoni
BDI e para me propozim-ligje, PDSh me amendamente
30.01.2015 16:28
Nga maji deri në dhjetor të vitit të kaluar, deputetët e kësaj legjislature kanë mbajtur gjithsej 29 seanca dhe kanë miratuar 153 ligje...

Kuvendi publikoi edicionin e 14 të publikimit “Deputeti im”.
Listën e deputetëve që kanë munguar më së shumti në punën e kuvendit e kryeson kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, me 47 mungesa të arsyeshme, i ndjekur nga deputetët, Hazbi Lika, Ermira Mehmeti dhe kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi. Deputeti më i rregullt padyshim është kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, i cili kryeson listën prej 30 deputetëve pa asnjë mungesë.
Koordinatori i BDI-së, Talat Xhaferi, është deputeti që ka parashtruar më shumë propozim-ligje, gjithsej pesë, i ndjekur nga Ilija Dimovski me katër propozim-ligje.
Ndërkaq, deputetët e grupit parlamentar të PDSh-së mbajnë primatin në parashtrimin e amendamenteve.
Oratorja e kësaj legjislature është deputetja e pavarur, Roza Topuzova Karevska, me 38 fjalime në seancë plenare, 61 replika dhe kundëreplika dhe tre ndërhyrje procedurale.
Në periudhën maj-dhjetor 2014, tetë deputetë shqiptarë asnjëherë nuk kanë marrë fjalën për diskutim në seancë plenare, ndër ta janë edhe liderët e partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.
Në punën e kuvendit nuk janë përfshirë 31 deputetët e opozitës, të cilët kanë parashtruar dorëheqje nga mandati i deputetit.
SHPËTIM NUREDINI
