Maqedoni
Debat për propozim buxhetin e komunës së Kërçovës në vitin 2023
17.12.2022 11:49
Komuna e Kërçovës zhvilloi debatin e zakonshëm me përfaqsuesit e BL-ve lokale dhe sektorit civil për propozim buxhetin e vitit 2023...

Komuna e Kërçovës zhvilloi debatin e zakonshëm me përfaqsuesit e BL-ve lokale dhe sektorit civil për propozim buxhetin e vitit 2023, i cili sipas planifikimit kap shumën 16 milion e 960 mijë euro, të cilat do të harxhohen për investime kapitale në projekte të rëndësishme që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj ane.
Debati për propozim buxhetin e komunës së Kërçovës, për vitin 2023, filloi pas prezentimit të projekteve të realizuara brenda vitit 2022, për të cilat kreu i komunës Fatmir Dehari, tha se gjatë kësaj periudhe janë realizuar projekte kapitale për popullatën vendore, rrugë dhe rrugica në zonën e qytetit dhe në ato rurale, investime në kanalizime të ujrave fekal dhe në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, në projekte të infrastrukturës shkollore dhe ndriçimit publik si dhe në projekte ekologjike, sportive dhe kulturore.
Debati për hartimin e buxhetit për vitin që vjen, si zakonisht zhvillohet mbi parimet e sinqeritetit, transparencës dhe llogaridhënies, sepse në këtë frymë, qytetarëve dhe përfaqsuesve të tyre, ju mundësohet pjesëmarrja direkte, në planifikimin e strukturës buxhetore të komunës, potencoi Dehari dhe shtoi se propozim buxheti i vitit 2023 që kap vlerën prej 16 milion e 960 mijë euro, do të shpenzohet në investime kapitale për projekte të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, ujësjellës dhe kanalizime, në mbrojtjen e ambientit jetësor dhe në zhvillimin ekonomik, arsimor, sportiv dhe kulturor.
Më pas në debatin për strategjinë buxhetore të komunës së Kërçovës, u inkudruan edhe përfaqsuesit e Bashkësive Lokale dhe shoqatave joqeveritare, të cilët prezentuan idetë e tyre për projektet prioritare që duhet të përfshihen në buxhetin e komunës për vitin 2023.
Kryetari Dehari, premtoi se këto kërkesa do të përfshihen në debatin final për miratimin e buxhetit i cili do të zhvillohet në kuadër të seancës së këshillit të komunës së Kërçovës, që do të mbahet më 27 dhjetor.
SHABAN DALIPI
