Situata në Jarinjë, KFOR-i shton praninë e trupave në veri

19.12.2022 12:35

Forcat paqeruajtëse të NATO-s....

Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë shtuar në mënyrë të konsiderueshme prezencën në veri të Kosovës, pas bllokadave dhe protestës së fundit të një grupi serbësh djathtistë  në Jarinjë, që tentuan të kalojnë kufirin me Kosovën, por u ndaluan nga policia serbe.

“Pas koordinimit me të gjitha palët, KFOR-i ka shtuar praninë e tij në Jarinjë për arsye të sigurisë. Kjo rritje vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve. Është gjithmonë e rëndësishme që të gjithë personat që marrin pjesë në një protestë të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore, duke shmangur dhunën joproporcionale, qëndrimet dhe sjelljet agresive që mund të keqkuptohen dhe të perceptohen si provokim apo dhunë të panevojshme. KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ofruar një mjedis të sigurtë për të garantuar dhe lirinë e lëvizjes, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

KFOR-i, bën të  ditur se në ditët në vijim do të kryejnë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës në Novosellë në veri.

“Stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë", thuhet në njoftim.