Futboll

Shkupi përforcon mbrojtjen me Kenan Vatiçin

30.01.2015 16:40

Skuadra kampione e Ligës së Dytë, FC Shkupi ka vazhduar me stërvitjet e rregullta në kuadër të përgatitjeve dimërore, por nga ana tjetër në skuadër ka ardhur dhe një përforcim tjetër...

Së fundmi pjesë e bardhekaltërve është bërë Kenan Vatiç, i cili ishte futbollist i Metalurgut, por i huazuar te skuadra Lokomotiva. 
 
Shkupjani 22 vjeçar që në moshën 17 vjeçare kishte kontratë profesionale me ekipin e Ligës së Parë Metalurgu, duke luajtur një kohë të gjatë me këtë skuadër edhe në rangun me të lartë, por që më pas të huazohet për në Ligën e Dytë. 
 
“Jam shumë i kënaqur që kam ardhur në një mes siq është ky te skuadra e Shkupit. Falënderoj të gjithë për pritjen që më kanë bërë dhe këtu varte ndjehem si në familjen time. Kam ardhur në një ekip me të cilin do të shkruajmë historinë, klub i cili ka një të kaluar të lavdishme dhe një publikë të respektuar edhe jashtë Maqedonisë”, ka thënë Vatiç, i cili luan në pozitën mbrojtës i djathtë. 
 
Kryetari i FC Shkupi Ejup Ademi ka thënë se me Kenan Vatiç Shkupi ka plotësuar të gjitha kërkesat e stafit teknik me në krye Zekerija Ramadanin. 
 
“Ne mendojmë se tani jemi të kompletuar dhe kemi plotësuar të gjitha kërkesat e skuadrës. Besoj me përforcimet që kemi bërë i kemi sjellë një fryme të re skuadrës, pasi që të gjithë janë të gjeneratave të reja dhe ka një perspektivë të madhe për ta”, tha Ademi.
 
Skuadra e FC Shkupi ka vazhduar me stërvitje intensive dhe tani pas miqësores së parë që e fitoi ndaj Trepçës ’89 (1:0), ekipi po planifikon që të siguroj dhe kontrolluese të tjera.
 
Skuadra të shtunën (31.01.2015) me fillim në orën 12:00 do të luajë në Gjorçe Petrov kontrolluese me Makedonija Gj.P. ndërsa me 7 shkurt tani më është vendosur për kontrolluese kundër Vëllazërimit, ndeshje kjo që do të luhet në Strugë. Gjithashtu klubi është në bisedime që të aranzhojë edhe një miqësore me ekipin e Renovës, që deri më tani ende nuk është konfirmuar. 
 
Skuadra nga Çairi do të vazhdojë qëndrimin në Shkup deri me 3 shkurt, kur atë ditë do të nisen në Ohër, për të vazhduar përgatitjet për 10 ditë.