Maqedoni

Buxheti i MShIA, rreth 1 miliardë e 600 milion denarë, Aliti: Do të shpenzohen në tre shtylla buxhetore

19.12.2022 15:41

1 miliard dhe 580 milion dhe 29 mijë denarë “peshon” buxheti i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës...

1 miliard dhe 580 milion dhe 29 mijë denarë “peshon” buxheti i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës për vitin e ardhshëm, para të cilat do të shpenzohen në tre shtylla buxhetore, respektivisht për media dhe Servisin Publik, për vazhdimin e procesit të digjitalizimit dhe reformat në administratën  publike. Ministri i administratës, Admirim Aliti është i bindur se ky buxhet është i mjaftueshëm për të arritur rezultatet të mira gjatë vitit të ardhshëm.
 
“Në shtyllën e parë përfshihen mjete të planifikuara për pagat dhe mirëmbajtjen e institucionit duke planifikuar një kursim në vitin që vjen dhe nga 426 milion denarë, për subvencione për Radio Televizionin Nacional, ndahen 300 milion denarë. Një pjesë tjetër e rëndësishme është planifikuar për Agjensinë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, Radiodifuzioni Nacional dhe Radio Televizioni Nacional, një propozim prej 900 milion denarësh. Këto mjete që përpos që do t’i lirojnë qytetarët nga pagesa për shërbimet e ofruara mediatike, poashtu do të ofrojnë mundësinë e një pune më të pavarur të këtyre institucioneve.”, - deklaroi ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Admirim Aliti.
 
Aliti thotë se deri kah fundi i majit parashikohen të përpilohen edhe dy drafte verzioniet e ligjeve për mediat. Sa i përket riorganizimit të administratës, Aliti thotë se nuk janë ndarë mjete të veçanta buxhetore sepse kjo çështje nuk kërkon para shtesë, por vullnet dhe vendime politike për ta bërë këtë.
 
“Është projekt që nuk ka reperkusione financiare në buxhetin e RMV-së. Pjesë e riorganizimit ne mendojmë ta kryejmë Agjensionin për Digjitalizim. Plani ynë që po e propozojmë si MShIA është që Drejtoria e Librave Amë bashkë me Sektorin IT - së të MShIA ti bëjmë një dhe ato të bëhen një person juridik i ri që do të jetë Agjensioni për Digjitalizim.”, - u shpreh ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Admirim Aliti.
 
Në të ardhmen pas themelimit të Agjensisë për Digjitalizim parashikohet kjo agjenci të ketë kompetenca më të mëdha edhe për sigurinë kibernetike të institucioneve shtetërore. Aliti thotë se në administratën publike janë të punësuar rreth 130 mijë persona dhe se rreth 95 % të të punësuarve përmes Marrëveshjes së Ohrit janë shpërndarë në vendet e tyre të punës. 
 
REXHEP QAMILI