Maqedoni

Filloi diskutimi i propozim-buxhetit për vitin 2023, Besimi: Zbusim pasojat e krizës dhe çmimeve

19.12.2022 16:42

Propozim-buxheti për vitin 2023, i ndryshuar dhe plotësuar edhe me amendamente është vënë në diskutimin para deputetëve...

Propozim-buxheti për vitin 2023, i ndryshuar dhe plotësuar edhe me amendamente është vënë në diskutimin para deputetëve, në seancë plenare, në lexim të dytë. Buxheti i Republikës për vitin 2023 projektohet në rreth 5.3 miliardë euro, të hyrat projektohen në rreth 4.6 miliardë dhe deficit buxhetor rreth 700 milionë euro. Projektimi i buxhetit për vitin e ardhshëm u arsyetua nga ministri i financave Fatmir Besimi, sipas të cilit Buxheti i propozuar për vitin 2023 ka katër objektiva kryesore, ndër të cilat është edhe përballja me pasojat e krizës energjetike dhe pasojat nga rritja e inflacionit. 
 
“Qëllimi i propozim-buxhetit i vitit 2023 është që të ndihmojë në zbutjen e pasojave të krizës energjetike, të çmimeve, të sigurojë financim të pandërprerë të integrimeve euroatlantike, të përmbush standardet e NATO-s por edhe të vendos masat mbi rimëkëmbjen ekonomike dhe të sigurojë një përshpejtim të rritjes ekonomike në afat të mesëm. Ky propozim-buxhet është hartuar për të përmbushur përcaktimin dhe konsolidimin fiskal dhe për të siguruar qëndrueshmëri fiskale.”, - u shpreh ministri i financave, Fatmir Besimi. 
 
Stojanoski: Buxheti, një “tullumbace e fryrë”
 
Opozita maqedonase me kritika për projekt-buxhetin për vitin 2023. Sipas tyre ky është propozim-buxheti më i lartë me të cilin rritet borxhi publik dhe që rrezikon qëndrueshmërinë fiskale të vendit.  
 
“Para nesh është propozim-buxheti për vitin 2023, historikisht më i larti, jo real, është një “tullumbace e fryrë” i cili s’dihet se kur do të shpërthejë. Është buxheti më i lartë deri tani, afër 5.3 miliardë euro. Buxhet që në një fjali mund të përkufizohet si buxhet për pajtimin e marrëveshjeve në katër sy. Ky është buxhet me deficit më të madh prej 4.7% ose 700 milionë euro, i cili do të rris borxhin publik në 64.4% të prodhimit bruto vendor. Kjo vë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale përkatësisht s’dihet nëse shteti do të mund të paguajë detyrimet.”, - deklaroi Bojan Stojanoski nga VMRO DPMNE.
 
Në lexim të parë u miratuan 12 amendamente nga 260 amendamente që ishin parashtruar gjithsej. U pranuan 6 amendamente nga opozita, tre nga shumica parlamentare dhe tre nga komisioni, në vlerë gjithsej 486.8 milionë denarë. Diskutimi për propozim-buxhetin zgjat maksimalisht pesë ditë.   

SHPËTIM NUREDINI