Kodra e Diellit, u prezantua projekti strategjik për qendrën e skijimit

19.12.2022 16:55

U prezantua ofertuesi për zbatimin e projektit strategjik....

U prezantua ofertuesi për zbatimin e projektit strategjik për zhvillimin e qendrës së skijimit Kodra e Diellit, nga kompania “Techno-Alpin” nga Tiroli i Jugut.

Ministri i ambientit, Naser Nuredini theksoi se Kodra e Diellit si pjesë e Parkut Kombëtar Mali Sharr, është parashikuar të jetë një zonë, me synim zhvillimin socio-ekonomik dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron qendra e skijimit Kodra e Diellit.                                                                          

“Është kënaqësi e madhe që arritëm të marrim një ofertë serioze nga një kompani e njohur evropiane nga Tiroli i Jugut, “Techno-Alpin”, e cila është udhëheqëse botërore në prodhimin dhe instalimin e sistemeve të borës artificiale, një ekspert i njohur në projektimin e fushave dhe zonave të skijimit.”, - u shpreh Naser Nuredini nga MMJPH-ja.

Faza e parë e investimit kap vlerën prej 55 milionë euro dhe një investim total prej më shumë se 180 milionë euro, në 6 fazat e ardhshme të realizimit të këtij investimi serioz. Investitori i ofruar, kompania “Techno-Alpin” nga Italia, prezantoi masterplanin e projektit, që përbëhet nga 7 faza të realizimit dhe e para është planifikuar në 5 vitet e ardhshme me integrimin e kapaciteteve ekzistuese të Kodrës së Diellit dhe ndërtimin e shtigjeve të reja të skijimit dhe teleferikut.

“Do të integrohen pistat ekzistuese dhe më tej do të ndërtohen 16 pista të reja skijimi dhe do të zhvillohet qendra e skijimit drejt pjesës veriore. Do të ndërtohen 9 teleferikë të rinj dhe dy prej tyre do të ndërtohen në fillim të zbatimit të projektit. Në fazën e parë do të ndërtohen sistemet e borës artificiale, plotësisht të automatizuara dhe të lidhura me softuerin e kompanisë “Techno-Alpin”, që do të garantojë hapjen e sezonit në fillim të dhjetorit dhe mbylljen e sezonit të skijimit në fund të muajit mars.

“Për më tepër, plani ynë përfshin ndërtimin e 2 shtëpive malore me kapacitet 160 shtretër. Është e rëndësishme që të shfrytëzohet jo vetëm stina e dimrit, por edhe ajo e verës, ndaj do të investonim në ndërtimin e teleferikut alpin që do të jetë pranë liqeneve si dhe shtigje të reja biçikletash.”, - thuhet nga kompania “Techno-Alpin”.

Plani i investimit përfshinë ndërtimin e një teleferiku të ri nga Tetova deri në Kodrën e Diellit, si dhe tre parkingje të reja, të cilat do të zgjidhnin çështjen e transportit të sigurt deri tek qendra e skijimit dhe do të shmangnin bllokimet e trafikut. (Gyltene Sinani, TVM2)