Monitorimi i proceseve gjyqësore nga OJQ, Avramovski: S’ka dallim të madh nga 1 vit më parë
Krahasuar me 1 vit më parë nuk ka dallime...

Krahasuar me 1 vit më parë nuk ka dallime të mëdha në veprimet e këshillave gjyqësorë, këshillave të prokurorëve, por edhe gjatë proceseve gjyqësore . Kjo është konstatuar nga monitorimi mbi proceset gjyqësore të kryera nga OJQ “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Sipas këtij raporti në gjyqësore janë konstatuar të njëjtat mangësi që kanë ekzistuar edhe para 1 viti. Lidhur me rastin “Target-Fortesa”, drejtori i OJQ-së Darko Avramovski thotë se në raport ai veçohet për shkak të zgjatjes së pazakontë të procedurës në Gjykatën e Apelit prej gati dy vitesh.
“Për gati dy vite ky rast ka qenë në Gjykatën e Apelit dhe prej aty e kemi konsideruar të rëndësishme ta veçojmë si të tillë, për të treguar dinamikën e zhvillimit të saj, sepse këtu, sidomos tani, me një gjykim të tillë nga Gjykata e Apelit dhe rikthimin e çështjes, mund të presim sërish që të ketë një procedurë shumë të gjatë sepse ka rrezik që të kemi vjetërsim të lëndës dhe gjasat janë të mëdha që e njëjta të paraqitet.”, - deklaroi drejtori i koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Darko Avramovski.
Vjetërsimi i lëndës “Target-Fortesa” duhet të ndodhë në vitin 2025. Nga seanca e parë gjyqësore në Gjykatën Penale, e deri te vendimi i Apelit u deshën pesë vjet.
Për të mos arritur deri te vjetërsimi i lëndës e gjithë procedura duhet të përfundojë për tre vjet, natyrisht nëse në vendimin e dytë Apeli nuk vendos për anulimin e aktgjykimit. (Sanije Duraku, TVM2)
