Botë
Baza ushtarake e NATO-s në Durrës, Peleshi: Po projektohet dizajni dhe financimi
19.12.2022 17:51
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi se bisedimet për bazën ushtarake të NATO-s....

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi se bisedimet për bazën ushtarake të NATO-s në Durrës janë drejt fundit dhe aktualisht po projektohet dizajni.
“Lidhur me një takim të fundit që unë kam patur para disa ditësh në qendrën e NATO-s me komandantin suprem të NATO-s, një nga pikat e diskutimit ka qenë mundësia e mbështetjes nga NATO të portit ushtarak pranë portit komercial të Porto Romanos. Ne jemi duke u konsultuar me NATO-n sipas dizajnit të NATO-s. Krahas konsultimeve ne po punojmë edhe për financimin.”, - theksoi Ministër i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi foli për 30 milion euro kredi për financimin e Mbrojtjes së Sistemit Civil.
“Do të ndërtohet një qendër e mbrojtjes civile në Tiranë dhe më pas në të gjitha prefekturat e vendit. Parashikohet blerja e automjeteve zjarrfikës edhe blerja e dy mjeteve ajrore sidomos për zjarret, për periudhën e vështirë të verës.”, - u shpreh Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Nevoja për këtë investim lindi pasi Shqipëria u bë pak muaj më parë pjesë e mekanizmit të Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civile.
LULJETA NDOKA
