Maqedoni
Maqedonia, e gatshme për t’u përballur me stuhinë
30.01.2015 17:00
Vala e re me të reshura të mëdha e paralajmëruar nga meteorologët aktivizoi dukshëm autoritet komunale, institucionet dhe banorët...

Të gjithë sot marrin masa parandaluese për t’u përballur me stuhinë e madhe.
Banorët e Komunës së Karbincës në Shtip, në prag të fillimit të stuhisë së paralajmëruar gjatë ditës së sotme filluan të evakuohen nga ky vend për shkak të rrezikut të madh për përmbytje masive dhe shembjen e tokës.
Sipas informatave, banorët e fshatit Kuçkicë janë shpërngulur thuajse tërësisht në fshatrat përreth.
Në rajonin e Pologut veç më janë regjistruar reshjet e para të shiut, ndërsa në viset malore tërë ditën ka pasur reshje të dëborës me intensitet të vogël.
Era e fuqishme nga jug-perëndimi dhe reshjet e shiut deri në këto momente nuk shkaktuan probleme më të mëdha me shtretërit e lumenjve, megjithëse zonat më kritike për daljen nga shtrati të lumit Vardar ka në Raotincë, Dudincë dhe Kopancë në Komunën e Jegunovcës.
Vranësira mesatare me erë të përkohshme nga jugu janë regjistruar edhe në Kumanovë dhe disa qytete të tjera në Maqedoni.
Sipas sinoptikanëve, gjatë kësaj nate dhe ditëve të vikendit pritet të përkeqësohet moti, ku shpejtësia e erës do të arrijë mbi 80 kilometra në orë, ndërsa sasia e të reshurave në pjesën perëndimore të vendit pritet të arrijnë deri më 60 litra për metër katrorë.
Trupi koordinues u bëri thirrje kryetarëve të komunave t’i njoftojnë të gjitha bashkësitë lokale për destabilizimin e paralajmëruar të motit, në mënyrë të vazhdueshme të ndiqet niveli i lumenjve, si dhe të ndiqet niveli i akumulimeve.
Të gjithë qytetarët të cilët vlerësojnë se janë të rrezikuar mund të paraqiten në numrin 195, ndërsa ARM, Qendra për Menaxhimin e Krizave dhe ekipet e EVN-së janë të gatshme dhe do të punojnë me ekipe kujdestarie të përforcuara.
REXHEP QAMILI
