Botë

Kurti: Ata që duan destabilizimin e Kosovës do të dështojnë

19.12.2022 18:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe shumë gjatë...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe shumë gjatë dhe se për këtë temë janë në koordinim të rregullt me KFOR-in.
 
“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në koordinim, në komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-in dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha ai. 
 
I pyetur rreth kërkesës të cilën e ka dërguar në KFOR, lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, ai tha se kjo është kërkesë jo reale, e cila “flet më shumë për ata sesa për vendin tonë”.
 
“Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët pretendojnë se do t’i sjellin në vendin tonë. Pra, më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”, tha ai.
 
Kurti është pyetur edhe për protestën e thirrur nga grupe djathtiste serbe, si shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës, e cila u mbajt gjatë vikendit në anën serbe afër Jarinjës – pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Kurtit, ata që po synojnë të destabilizojnë Kosovën do të dështojnë.