Maqedoni

Besimi: dialogu politik të rifillojë para se Hahn të mbërrijë në Shkup

30.01.2015 17:28

Maqedonia edhe këtë vit do mbetet e bllokuar në sferën e eurointegrimeve...

Bisedimet me Bashkimin Evropian, që u pezulluan në vitin 2013, mund të mos riaktivizohen sivjet.

Vendimin për riaktivizim të mundshëm të dialogut Maqedoni–Bashkimi Evropian mund ta sjellë komisioneri për Zgjerim, Johanes Han, në vizitën e parë të tij në Shkup, në muajin shkurt.

Këtë e pohon zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.

“Qeveria po bën përpjekje për rikthimin e dialogut me opozitën, që përbën edhe kushtin kryesor të Brukselit për zhbllokimin e dialogut të nivelit të lartë. Ngërçi politik dëmton procesin integrues në përgjithësi”- është shprehur zëvendëskryeministri Besimi në një takim me gazetarët.

Në ngecjen e dialogut, sipas Besimit, renditet edhe mospërmbushja e kushteve për media të lira, administrata e papolitizuar dhe gjyqësori i pavarur.

Duke pasur parasysh këtë realitet nëpër të cilin po ecën Maqedonia, zëvendëskryeministri Besimi nuk përjashton mundësinë që vendi edhe gjatë 2015-ës të mos marrë rekomandim për fillim të bisedimeve me Bashkimin Evropian.

MERAL ISMAILI