Maqedoni

Ministria e transportit shpallje publike për linja të reja ajrore

20.12.2022 14:14

Ministria e transportit ka ndryshuar modelin e subvencionimit të linjave të reja ajrore...

Ministria e transportit ka ndryshuar modelin e subvencionimit të linjave të reja ajrore. Në shpalljen publike pritet të zgjedhen më tepër kompani, në vend të një kompanie siç ka qenë deri më tani. Me kompanitë e përzgjedhura do të nënshkruhet marrëveshje për tre vite, ndërsa për këtë qëllim janë paraparë 1,1 milion euro mjete buxhetore. Nëse një kompani ka marrë subvencione për një destinacion të caktuar, duhet të fluturojë të paktën dy herë në javë, edhe pas përfundimit të subvencionimit për aq kohë sa ka marrë subvencione. 
 
“Sasia e përkrahjes financiare do të arrijë 7 euro në kundërvlerë të denarit për udhëtarë të transportuar nga aeroporti ndërkombëtarë i Shkupit dhe 4,5 euro për udhëtarë të transportuar nga aeroporti “Shën Apostol Pavli” në Ohër.”, - u shpreh ministri i transportit dhe lidhjeve, Blagoj Boçvarski.
 
Aktualisht nga aeroporti i Shkupit ka 38 destinacione, ndërsa nga ai i Ohrit 7, të cilat realizohen nga 13 kompani. Hyrje në tregun e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar edhe “Luft-Hanza”.
 
“Që nga mesi i vitit 2020 deri më tani nuk paguajmë fare subvencione për avio-linja, por linjat aktuale operojnë. Secila avio-kompani duhet ta shohë Maqedoninë e Veriut si mundësi dhe të njëjtën e mendoj edhe për kompaninë “Vizair.”, - deklaroi ministri i transportit dhe lidhjeve, Blagoj Boçvarski.
 
Sipas shpalljes publike avio-kompanitë e interesuara duhet të kenë bartur 10 milion udhëtarë që nga viti 2019 dhe të kenë realizuar profit prej minimum 25 milion euro. Këtë vit nga aeroportet e vendit kanë udhëtuar 2,3 milion udhëtarë. 
 
GYLTENE SINANI