Alarmi me bombat, Petrovska: Qytetarët të rrinë të qetë, s’ka rrezik
Qytetarët e vendit nuk duhet të shqetësohen....

Qytetarët e vendit nuk duhet të shqetësohen nga kërcënimet me bomba sepse organet kompetente po ndërmarrin masa shtesë për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë, thotë ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. Ekipi i organizuar në mbledhjen koordinative të shërbimeve të sigurisë sipas Petrovskës, duhet t’i koordinojë angazhimet me qëllim që t’i zbulojnë paralajmëruesit e bombave.
“Në këtë moment nuk ka kërcënim real për sigurinë dhe këtë duhet ta dinë qytetarët, por nuk ia lëmë absolutisht asgjë rastësisë. Shërbimet inteligjente në bazë të kompetencave që kanë, do të ndërmarrin masa shtesë për garantimin e sigurisë. Ideja e ekipit operativ është ta shpejtojë dhe përmirësojë koordinimin e këtyre shërbimeve, prej të cilëve presim të zgjidhin rastin.”, - theksoi ministrja e mbrotjes, Sllavjanka Petrovska.
Petrovska: Ligj të ri për mbrojtje nga kërcënimet hibride
Derisa po përgatitet vendimi për ligjin e ri për mbrojtjen kibernetike, bartëse e së cilës është Minsitria e Mbrojtjes, të gjitha institucionet relevante janë vënë në funksion të përforcimit të masave mbrojtëse kundër kërcënimeve hibride, thotë Petrovska.
“Mbrojtja hibride e të gjitha institucioneve shtetërore e më gjerë, paraqet infrastrukturë kritike dhe njëkohësisht edhe sfidë. Absolutisht secili institucion në bazë të kompetencave të veta ndërmerr masa për mbrojtjen e kërcënimeve hibride. Këtu duhet të theksohet edhe përkrahja dhe komunikimi me partnerët strategjik, përfshirë edhe ato në suaza të NATO-s.”, - deklaroi ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
Petrovska komentoi edhe anketën e Institutit Republikan Ndërkombëtar. Ajo i quajti shqetësuese rezultatet e personave të përfshirë në anketë, si dhe alarmante rënien e besimit në institucione. Këto komente u thanë në simulimin studentor për NATO-n, organizuar nga Këshilli euro-atlantik i vendit. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
