Maqedoni
Projekt-buxheti për vitin 2023, BDI: Stabilitet dhe rritje të shpejtë ekonomike
20.12.2022 15:27
Qëndrime të ndryshme në mbrojtje të buxhetit dhe pretendime për bankrotim të ekonomisë...

Qëndrime të ndryshme në mbrojtje të buxhetit dhe pretendime për bankrotim të ekonomisë, u dëgjuan në kuvend përderisa shqyrtohej projekt-buxheti për vitin 2023. Deputetët e BDI-së thonë se qeveria ka përcaktim të qartë: të ruhet stabiliteti makroekonomik dhe të ketë rritje të përshpejtuar të ekonomisë. Theks të veçantë i vunë edhe projekteve kapitale infrastrukturore.
“Me qëllim të projektimit dhe ndërtimit të një pjese të korridorit 8, planifikimit, projektimit, ndërtimit dhe shfrytëzimit të korridorit 8, seksioni Tetovë – Gostivar, zgjerim i autostradës, ndërtim i autostradës së re Trebenisht - Strugë – Qafthanë, ndërtimi i segmentit rrugor Gostivar - Bujkoçan si dhe korridori 10 D, segmenti rrugor Prilep - Manastir. Do të përpunohet projekt urbanistik dhe themelor për ndërtimin e rrugës shtetërore për lidhjen e Tetovës me Prizrenin.”, - u shpreh deputetja e BDI-së, Fisnike Bekteshi Shaqiri.
VMRO: Bankrotim dhe varfërim i popullsisë
Pasuan kundërreplika nga deputetët e VMRO-DPMNE-së duke e cilësuar projektin buxhetor si një hap para bankrotimit.
“Ky buxhet i projektuar në 5.3 miliard euro është si “një balon i fryrë i cili do të shpërthejë dhe shumë shpejtë do të shohim rebalancin. Mirë e dini se letra duron gjithçka dhe paaftësia e korrupsioni juaj do të bëj që këto të mos realizohen fare.”, - tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Jovan Jauleski.
Sipas opozitës maqedonase vitin që vjen pritet të shtohet varfëria dhe në vazhdim edhe mbyllja e shumë ndërmarrjeve.
“Thuajse gjysma e buxhetit shkon për transfere sociale, në vlerë prej 2.3 milirad euro. Kemi rritje prej 192 milion euro në krahasim me rebalancin, fakt i cili flet se varfëria në vazhdimësi po rritet.”, - deklaroi deputetja e VMRO – DPMNE-së, Angelinka Petkova.
“Vitin e ardhshëm do të kemi rritje drastike të normave të interesit e që afaristët për disa vite do ta ndjejnë në kurrizin e tyre dhe do të vijojë bankrot edhe më i madh i kompanive në vend.”, - theksoi deputetja e VMRO – DPMNE – së, Ane Llashkova.
Opozita gjithashtu bëri thirrje edhe për të dhënat e anketave të Institutit Republikan Amerikan, se afër 90% e qytetarëve nuk jetojnë më mirë edhe përkundër deklarimeve të pushtetit.
MERAL ISMAILI
