Maqedoni

Avokati i popullit: Mbi 3 mijë parashtresa për të drejtat e njeriut

20.12.2022 15:50

Mbi 3 mijë parashtresa janë dorëzuar këtë vit deri tek zyra e Avokatit të Popullit për shkeljen e drejtave të qytetarëve....

Mbi 3 mijë parashtresa janë dorëzuar këtë vit deri tek zyra e Avokatit të Popullit për shkeljen e drejtave të qytetarëve. Një pjesë e madhe e tyre, rreth 400, kanë të bëjnë me fushën e gjyqësorit dhe padrejtësive që u bëhen qytetarëve gjatë rrugëtimit të tyre për të fituar drejtësinë, gjatë përmbarimit apo proceseve gjyqësore, vlerëson Avokati i Popullit, Naser Zyberi, sipas të cilit, qytetarët gjithnjë e më shumë humbasin besimin te institucionet edhe për shkak të vendimeve gjyqësore, siç ndodhi konkretisht edhe me rrëzimin e vendimit gjyqësor të gjykatës së shkallës së parë për Sasho Mijallkovin.
 
“Në qoftë se merren parasysh ndodhitë e fundit në Gjykatën e Apelit dhe vendimi, për anulimin e vendimit të shkallës së parë për rastin tani më të njohur është e qartë se si krijohet dhe pse krijohet ky percepcion te qytetarët për gjykatësit dhe nuk është e rastësishme humbja e besueshmërisë së qytetarëve ndaj vendimeve që merr gjyqësori. Unë mendojë se duhen bërë shumë më tepër për të ndryshuar kjo gjendje, por indikacionet flasin se nuk ka veprime në këtë drejtim. Fatkeqësisht është dashur që të marrim vërejtje serioze nga institucionet ndërkombëtare, nga përfaqësuesit e ShBA-së, BE-së etj., për të alarmuar situatën në vend që të vihet në funksion sistemi për monitorim dhe mbikëqyrje të punës së institucioneve në gjyqësor, këtu mendoj për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor.”, - u shpreh avokati i popullit, Naser Zyberi.
 
Avokati i popullit: Alarmet për bombë dëmtojnë cilësinë e arsimit
 
Në listën e avokatit të popullit dominojnë edhe parashtresat e qytetarëve për shkeljen e të drejtave të marrëdhënieve të punës, të drejtave sociale dhe ato të fëmijëve. Këto të fundit më së shumti e shqetësojnë Zyberin, pasi që me paralajmërimet e shpeshta të bombave të rreme bëhen shkeljet më të mëdha ndaj fëmijëve, pasi që në pamundësi që institucionet tona të parandalojnë kjo dukuri në kohë dhe arsimi të riorganizohet për mësim, pësojnë fëmijët, thotë Zyberi.
 
“Po i dëgjojmë paralajmërimet se do të kompensohen orët e humbura me mësim gjatë fundjavave, mirëpo e gjithë kjo sigurisht se nuk do të kompensojë atë që kanë lëshuar nxënësit dhe kjo gjë do të thotë shkelje e të drejtave të fëmijëve në fushën e arsimit. Andaj mendoj se kjo që po ndodh është dobësi e institucioneve përgjegjëse për ndërmarrjen e masave konkrete për të siguruar hapësira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.”, - deklaroi avokati i popullit, Naser Zyberi.
 
Këto komente Naser Zyberi i bëri gjatë publikimit të raportit të veçantë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në sektorin publik për vitin 2021, ku janë shënuar hapa të vogla, por jo dhe të mjaftueshme  në zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
 
REXHEP QAMILI