Rritet numri i fëmijëve obez, ekspertët: Të organizohen aktivitete fizike falas

20.12.2022 16:24

Obeziteti është faktor shumë i rrezikshëm për shëndetin....

Obeziteti është faktor shumë i rrezikshëm për shëndetin, sepse shkakton shumë sëmundje kronike, si: diabetin, kolesterolin, sëmundjet kardiovaskulare, madje edhe disa lloje të karcinomit.

Fatkeqësisht situata në vendin tonë, mbetet alarmante dhe çdo ditë e më tepër vjen duke u përkeqësuar. Kjo problematikë nuk është vetëm tek të rriturit, por kohën e fundit është mjaft prezente edhe tek fëmijët.

Tek të rriturit llogaritet që gjysma e popullsisë të kenë problem me mbipeshën. Ndërkohë tek fëmijët, çdo i treti fëmijë është me mbipeshë apo obez.

Sipas analizës, tek fëmijët meshkuj është ulur numri i obezëve dhe është rritur numri i femrave që kanë problem me mbipeshën dhe këto janë të dhëna shqetësuese, njoftojnë ekspertët.

“Për diabet tip 2 për të cilën sëmundje pretendohet që mosha më e hershme e paraqitjes është  40 vjeç e sipër, tani kjo sëmundje shfaqet shumë më herët, madje edhe tek fëmijët shfaqet diabet - tip 2, gjë që nuk është e zakonshme. Mbipesha përbën problem edhe për sëmundjet kardiovaskulare, ushqen karcinomin. Obeziteti është faktor rreziku për disa lloje të kancerit. Shfaqja në moshë të hershme e këtyre sëmundjeve, mund të thuhet që e ka një faktor të vetëm rreziku, mbipeshën.”, - deklaroi mjeku i Institutit të shëndetit publik, Igor Spirovski.

Keq ushqyerja apo marrja e kalorive të tepërta përmes ushqimit të shpejtë dhe aktiviteti i dobët fizik janë faktorët kryesorë që ndikojnë në epideminë e mbipeshës dhe obezitetit në mbarë botën.

Për të parandaluar këtë problem, sipas ekspertëve duhet të organizohen më shumë aktivitete fizike falas nëpër shkolla dhe institucione.

“Duhet të organizohen gara të ndryshme të çdo lloj tipi të aktivitetit fizik. Të mbahen falas orë të posaçme për ushqime fizike nëpër shkolla, nëpër universitete, për të punësuarit në institucionet publike si dhe në ndërmarrjet private.”, -  studentja në Fakultetin farmaceutik, Margarita Taneva.

Sipas statistikave të OBSh-së në mbarë botën rreth 13 milionë njerëz po vdesin për shkak të sëmundjeve që lidhen më obezitetin. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)