Maqedoni

Shemshovë, bojkotohet mësimi, sepse nuk ka ngrohje

20.12.2022 16:47

Mbi 300 nxënës të shkollës fillore të fshatit Shemshovë të komunës së Jegunocit kanë bojkotuar mësimin...

Mbi 300 nxënës të shkollës fillore të fshatit Shemshovë të komunës së Jegunocit kanë bojkotuar mësimin pasi që shkolla nuk ka naftë për ngrohje. Prindërit shprehen të vendosur të mos i lëshojnë fëmijët në shkollë deri sa të plotësohen kushtet për mësim. 
 
“Prindërit ishin unanim deri sa nuk ka kushte, nuk ka nxehje, ishin të dakorduar se fëmijët nuk i lëshojnë për mbarëvajtjen e mësimit. Ajo ishte veç fillimi se prindërit ishin unanim në atë nëse nuk ka kushte fëmijët mos i lëshojnë pastaj do të vazhdojnë në rrjedhjen e mëtutjeshme, nëse sigurohet naftë normal se do t’i lëshojnë, nëse nuk lëshohet naftë ka edhe forma tjera si do veprojmë ne si këshillë me përkrahjen e prindërve të vazhdojmë edhe rrugën e mëtutjeshme.”, - u shpreh kryetari i këshillit të prindërve, Zezir Zeqiri.
 
Drejtori i shkollës fajin e hedh te komuna e Jegunocit, pasi thotë se disa herë  ka kërkuar që të hapet tender për furnizim me naftë, por kërkesa e tij nuk është marrë parasysh.
 
“Kërkesa kam bërë disa herë, atë do ta dëshmoj edhe para organeve përkatëse, por ajo nuk është përfillë nga organet e komunës për të hapur shpallje të re për lëndë djegëse. Përgjegjësinë dihet kush e mban edhe ka organe kompetente për këtë gjendje që kemi rënë sot fatkeqësisht.”, - theksoi drejtori i Shkollës  Fillore “Shemshova”, Burhan Ejupi. 
 
Edhe përkundër insistimit të gazetarëve që të merret një përgjigje nga komuna, kreu i komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinovski, nuk ishte i kapshëm, e madje nuk ishte as në vendin e tij të punës.
 
VISAR SADIKI