Maqedoni
ASh, kritika Ministrisë së Arsimit
20.12.2022 17:03
Aleanca për Shqiptarët, ka akuzuar sot ministrin e arsimit se edhe pas 20 vitesh udhëheqje nga kuadër shqiptar,...

Aleanca për Shqiptarët, ka akuzuar sot ministrin e arsimit se edhe pas 20 vitesh udhëheqje nga kuadër shqiptar, nxënësit shqiptar edhe këtë gjysmëvjetor e kaluan pa libra. ASh, poashtu akuzon se gjatë 20 vitesh nuk është investuar për të përmirësuar kushtet nëpër shkolla.
“Në asnjë prej librave që përdorin nxënësit tanë, asnjëri prej autorëve të parë nuk është shqiptarë. Paramendoni, 1/3 e popullatës me universitet shtetëror, me dy fakultete pedagogjike shtetërore dhe me ministra të arsimit shqiptarë gati 20 vite, në asnjë libër të botuar nuk kemi autor shqiptar! Krimi dhe korrupsioni vonuan vendin 20 vite për t’u integruar. Edhe sa vite do të duhet të kalojnë që fëmijët tanë të mësojnë në shkolla me një ndërrim? Dështimet kanë emër. Edhe arsimi i mesëm është i lënë anësh. Vitet e katërta mësojnë ende me libra në gjuhën maqedonase apo nuk kanë fare libra. Të mos flasim për mungesën e hapësirave laboratorike apo për nxitjen e fëmijëve të orientohen në drejtimet deficitare.”, - u shpreh Arijanit Reka, nga ASh, Departamenti i Arsimit.
ASh thotë se edhe arsimi sipëror po ballafaqohet me probleme dhe kërkon që politika të ketë larg duart nga arsimi. ASh propozon krijimin e një strategjie të re.
“Propozojmë një nismë që do të mbledh tërë spektrin politik opozitar e qeveritar, me përfaqësues dhe ekspertë të çdo partie politike, akademikët dhe profesionistët, që njëherë e përgjithmonë të sjellim një strategji të përbashkët dhe të pranuar nga të gjithë pa përjashtime, që kush do qoftë të jetë ministër i arsimit të ketë misionin e njëjtë, misionin për arsim cilësor, misioni që i shpëton fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre.”, - deklaroi Arijanit Reka nga ASh, Departamenti i Arsimit.
Sipas Aleancës për Shqiptarët e gjithë kjo që ndodh me arsimin buron nga mbyllja e syve, heshtja dhe hatri. Sipas ASh-ës, Ambasadat e vendeve mike e dërguan mesazhin e qartë se duhet luftuar krimin, korrupsionin dhe nepotizmin. Këto dukuri negative duhet t’i luftojmë të gjithë së bashku për një arsim më cilësor, thonë nga ASh.
VISAR SADIKI
GAZETAR:
VISAR SADIKI
