Maqedoni

Joveski raporton për punën e prokurorive, Joveski: Duhen prokurorë dhe buxhet

20.12.2022 17:48

Në valën e akuzave ndaj gjyqësorit për rezultate të pakënaqshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit...

Në valën e akuzave ndaj gjyqësorit për rezultate të pakënaqshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kryeprokurori Ljubomir Joveski lëvdoi punën e prokurorive. Sipas tij, prokuroria ka shënuar rezultate pavarësisht problemeve të shumta me të cilat përballet. Gjatë raportimit për punën e Prokurorisë për vitin 2021, Joveski tha se Prokuroria funksionon me rreth 90 prokurorë më pak, ka mungesë të shërbimit të prokurimit publik dhe buxhet të përgjysmuar. Në rrethana të këtilla, prokuroritë themelore gjatë vitit 2021 kanë proceduar kundër 45.405 kryerësish të veprave penale. Ndërkaq, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka proceduar ndaj padive penale kundër 973 kryerësish të veprave penale.       
 
“Rezultatet e këtilla janë realizuar me 172 prokurorë publikë, që është më pak se 2/3 nga 262 prokurorë publikë të parashikuar. Kjo situatë është kështu pasi s’ka kandidatë që kanë përfunduar Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik, ndërkaq, prokuror publik mund të zgjidhet vetëm nga ata që kanë përfunduar Akademinë. Situata s’është më e mirë as në shërbimin e prokurimit publik. Ka mungesë inxhinierësh të informatikës, pasi në të gjitha prokuroritë në shtet ka të punësuar vetëm katër inxhinierë të informatikës. Nga buxheti kërkuar nga gjithsej 972 milionë denarë për vitin 2021, është miratuar buxhet prej 571 milionë denarë.”, - u shpreh kryeprokurori, Ljubomir Joveski.
 
Opozita me vërejtje që raportet e Prokurorisë po shqyrtohen me vonesë prej një viti ndërkaq raporti është një përmbledhje numrash pa nxjerr në pah defektet dhe propozuar zgjidhje. Deputja Dafçeva për situatën në prokurori iu referua raportit të KE-së.
 
“Raporti s’duhet të jetë përmbledhje mekanike e raporteve të prokurorive themelore, prokurorive të larta dhe prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe diçka më shumë. Raporti duhet të përfundojë me një diagnozë serioze juridike dhe me rekomandime. Veç atëherë ne mund ta dimë se me çfarë po përballet segmenti më i rëndësishëm i sistemit gjyqësor.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davçeva.
 
Raporti i Kryepokurorit për vitin 2021 është dorëzuar në Kuvend në prill të këtij viti, ndërkaq është vënë në procedurë parlamentare në tetor.                  
 
SHPËTIM NUREDINI