Mitrovicë, dy shpërthime brenda natës në pjesën veriore

21.12.2022 10:30

Mbrëmë në Mitrovicën e Veriut....

Mbrëmë në Mitrovicën e Veriut janë raportuar dy shpërthime, njëri prej të cilëve ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve dhe tjetri tek Tre Rrokaqiejt.

Autoritetet kosovare të rendit dyshojnë se shpërthimet janë kryer me shok bomba. Nga këto shpërthime nuk është raportuar për të lënduar apo dëme materiale.

Sipas Policisë, njësitet patrulluese policore kanë raportuar se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 20:45 dhe 21:20.

Ndërkohë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin se shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve ndodhi në afërsi të ekipit të televizionit Tëvë1. Njëherësh, Asociacioni i Gazetarëve, kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura që të sigurojnë gazetarët të kryejnë punën e tyre pa u rrezikuar dhe penguar.

Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka akuzuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, se së bashku me “bandat kriminale e të armatosura” po mirëmban barrikadat, që sipas tij, për 11 ditë rresht kanë bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Sveçla tha se autoritetet po bëjnë përpjekje maksimale me partnerët për heqjen e barrikadave “pa asnjë eskalim të mundshëm, në ndërkohë Lista Serbe, po i armatosin bandat brenda barrikadave”.

"Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njëjtën anë. Assesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim”, tha Sveçla.