Zelensky sot viziton ShBA-të dhe takon presidentin Biden

21.12.2022 11:05

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky....

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot udhëton për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do të pritet nga presidenti amerikan Joe Biden, ndërsa do të vizitojë edhe Kongresin.

Ky është udhëtimi i tij i parë jashtë shtetit, që nga sulmi ushtarak rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Zelensky ka deklaruar se shkon në Uashington për bisedime me Bidenin për të forcuar rezistencën dhe aftësitë mbrojtëse të Ukrainës dhe për t’iu drejtuar Kongresit të SHBA-së.

Gjatë vizitës, Biden do të shpallë një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë rreth 2 miliardë dollarë që do të përfshijë një bateri raketash Patriot për ta ndihmuar shtetin të mbrohet nga breshëria e raketave ruse, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Vizita e Zelenskyt, e cila ishte organizuar në fshehtësi deri në zbulimin e detajeve, pritet të zgjasë disa orë.

Ai do të zhvillojë bisedime me Biden dhe ndihmës të lartë të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, do të marrë pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi me Bidenin dhe më pas do të shkojë në Capitol Hill për të folur në një sesion të përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së.