Maqedoni
Spasovski: Ekip për parandalimin e sulmeve kibernetike
21.12.2022 14:37
Ministri i brendshëm Oliver Spasovski, thotë se rasti me raportimet për bomba në Dellçevë është duke u zbardhur...

Ministri i brendshëm Oliver Spasovski, thotë se rasti me raportimet për bomba në Dellçevë është duke u zbardhur. Ai thotë se në luftën kundër kërcënimeve hibride nevojitet reagim i përbashkët.
“Është formuar një ekip pune prej disa institucioneve, i cili do të punojë në fushën e parandalimit të sulmeve kibernetike. Ne të gjithë duhet t'i bashkohemi luftës për të ndaluar këto kërcënime dhe sulme. Tashmë jemi në fazën e pastrimit dhe shpresojmë që së shpejti të zbardhet rasti i raportimit të bombave në Dellçevë. Dalëngadalë, aktiviteti zbulues në këtë pjesë po zgjerohet, por kërcënimet hibride që vijnë dhe që ne i konsiderojmë si pjesë e gërshetimit të interesave gjeo-strategjike pikërisht në territorin tonë, janë sulme që kërkojnë përgjigje të përbashkët.”, - u shpreh ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Njoftimet për bomba në shkolla, Sh.F “Bajram Shabani” simulon evakuimin
Teksa MPB-ja ende po punon për gjetjen e atyre që lëshojnë kërcënimet, Sh.F. “Bajram Shabani” në Kumanovë, me sugjerim të policisë kumanovare e me mbështetje të Këshillit të prindërve, Këshillit të arsimtarëve dhe organeve të tjera, simuloi evakuimin eventual në rast të një alarmi për bombë. Evakuimi rezultoi me sukses, e rreth 500 nxënësit e kësaj shkolle, arritën të dalin nga ndërtesa për rreth katër minuta.
“Kemi marrë masa plotësuese preventive, nëse përsëriten rastet e njëjta me qëllim që evakuimi i nxënësve të jetë më i mirë, më i shpejtë dhe më efikas, ndër masat tjera kemi marrë roje në hyrje të shkollës. Në parkingun e shkollës që kemi, kemi ndaluar parkimin e të gjitha automjeteve të të punësuarve, si dhe mbajtjen e disa provave eksperimentale për evakuimin e nxënësve, prova këto që i realizuam në ndërrimin e parë e cila ishte provë e suksesshme dhe tani kemi në radhë provën me ndërrimin e dytë”, - tha mes tjerash, drejtori i Sh.F. “Bajram Shabani”- Kumanovë, Mustafa Ebibi.
Trajnimi i nxënësve për një situatë kaq ekstreme vjen si pasojë e paralajmërimit të para disa ditëve për vënien e bombës edhe në ambientet e Sh.F.“Bajram Shabani”, që shkaktoi frikë dhe panik tek nxënësit dhe të punësuarit në këtë shkollë.
FATLUM AQIFI
