Maqedoni

Qeveria, Kovaçevski nuk parashikon rikonstruim

21.12.2022 14:51

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk parashikon rikonstruim të qeverisë pas rezultateve kritike në anketën e IRI-t...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk parashikon rikonstruim të qeverisë pas rezultateve kritike në anketën e IRI-t sa i takon besimit të qytetarëve në gjyqësor dhe në figurat politike. Kryeministri thotë se qeveria punon pa probleme dhe nuk ka nevojë që për punën e gjyqësorit të ndërrohet ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançeski.
 
”Nuk është planifikuar rikonstruim. Tani është periudhë ku përgatitemi për vitin që vjen, në mënyrë intensive po prezantojmë buxhetet e secilës ministri. Qeveria funksionon me kapacitet të plotë për t’u përballur me të gjitha sfidat. Ministri i drejtësisë ka obligim të punojë në përpilimin e ligjeve që kanë të bëjnë me avancimin e gjyqësorit dhe të sigurojë buxhet i cili në mënyrë autonome do të menaxhohet nga prokuroritë dhe gjykatat. Këtë ai e ka bërë dhe ligjet e dërguara në kuvend janë bllokuar nga opozita.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Zgjedhje të parakohshme, Kovaçevski: S’ndryshojmë qëndrim, zgjedhje në 2024-n
 
Anketa e IRI-it nxjerr në pah edhe refuzimin e 56% të qytetarëve për të përfshirë bullgarët në kushtetutë. Kryeministri nuk thotë se a do të ketë zgjerim të qeverisë për të siguruar shumicën e nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Edhe  përkundër intensifikimit të takimeve me qytetarët gjithsej në 79 tribuna të mbajtura, ai mohon se po mendon për zgjedhje të parakohshme.
 
“Unë nuk i ndryshoj qëndrimet çdo ditë, sikurse bëjnë politikanë të tjerë. Zgjedhje do të ketë në vitin 2024, fillimisht do të mbahen presidencialet dhe pastaj parlamentaret. Në vitin 2024 do të kemi qeveri e cila sërish do të drejtohet nga social-demokratët dhe partnerët e koalicionit, të cilët janë për vazhdimin e rrugëtimit evropian të vendit.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Kreu i ekzekutivit pret rezultate më optimiste nga anketa e radhës e IRI-t, e cila do të përfshinte edhe politikat e fundit të qeverisë sikurse nënshkrimi i Marrëveshjes Fronteks dhe vendosjen e gjuhës maqedonase në BE pa fusnota dhe sqarime, si të barabartë me gjuhët tjera të Unionit, si dhe fillimi i përkthimit të legjislaturës së BE-së në gjuhën maqedonase.
 
MERAL ISMAILI